Një nxënëse nga Prizreni ka treguar një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në polici.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 25 gusht 2026, rreth orës 20:45, në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren është dorëzuar një kuletë e humbur nga një qytetar.
Kuleta ishte gjetur në rrugën “Ekrem Rexha” nga nxënësja e Shkollës së Ekonomisë, O.T., e lindur në vitin 2011. Ajo, së bashku me prindin e saj, e ka dërguar menjëherë kuletën në stacionin policor.
Në kuletë kishte të holla dhe dokumente personale të pronarit. Përmes dokumenteve identifikuese, policia ka arritur ta kontaktojë pronarin, i cili më pas është paraqitur në stacion dhe e ka marrë kuletën.
Pronari ka shprehur falënderimin e tij për aktin e ndershëm të nxënëses, si dhe për angazhimin e Policisë së Kosovës.
Policia e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë ndërmjet qytetarëve dhe policisë, duke theksuar se ndershmëria dhe solidariteti janë vlera që forcojnë besimin dhe sigurinë në komunitet.