Donjeta Sadiku e artë në Taranto, mposht rusen që përfaqësonte Serbinë

Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke mposhtur në finale boksieren e Serbisë, Kristina Kuluhova.

Në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, meçi u ndërpre në raundin e dytë pasi Kuluhova u tërhoq për shkak të një lëndimi në arkadë.

Arbitrat i numëruan pikët deri në momentin e ndërprerjes, ndërsa Sadiku u shpall fituese me rezultat 4:0. Katër prej arbitrave e vlerësuan boksieren kosovare fituese në të dy raundet, ndërsa njëri e vlerësoi përballjen të barabartë deri në ndërprerje.

Kjo është medalja e parë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” dhe menjëherë është e artë.

Sadiku deri te medalja e artë arriti përmes tri fitoreve. Në çerekfinale ajo mposhti turken Esmanur Lok me rezultat 4:1, ndërsa në gjysmëfinale triumfoi bindshëm, 5:0, ndaj grekes Sofia Legaki.

Në finale, boksierja kosovare ishte duke dominuar me goditje të sakta dhe kishte krijuar epërsi deri në momentin kur meçi u ndërpre.

Kuluhova nuk doli në podium

Pas finales, boksierja e Serbisë, Kristina Kuluhova, nuk doli në ceremoninë e medaljeve për ta pranuar medaljen e argjendtë.

Në podium u shfaqën tri boksiere, përfshirë Donjeta Sadikun dhe fitueset e dy medaljeve të bronzta, ndërsa Kuluhova mungoi.

Kuluhova është nga Rusia, por në Lojërat Mesdhetare garon nën flamurin e Serbisë.

Kurti: Lajm i jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Donjeta Sadikun dhe trajneren e saj, Mariola Sallauka, për medaljen e artë.

Kurti e ka cilësuar suksesin e Sadikut si “lajm të jashtëzakonshëm” nga Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’. Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se Sadiku triumfoi në finale ndaj Kristina Kuluhovës, e cila garoi për Serbinë.

“Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës. Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!”, ka shkruar Kurti.

Medalja e artë në Taranto është një tjetër sukses i rëndësishëm në karrierën e Sadikut dhe një nisje e artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika