Analisti i çështjeve politike, Ibrahim Shala, ka thënë se marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e Presidentit u arrit, por nuk u funksionalizua për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
Në emisionin FIVE, Shala ka deklaruar se deputetët dhe strukturat e një partie duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura nga udhëheqësit e tyre politikë.
“Marrëveshja nuk u funksionalizua, u arrit, por nuk u funksionalizua. Kur të merret një vendim dhe kur shkohet në bisedime me një parti tjetër, atëherë deputetët e asaj partie dhe strukturat udhëheqëse janë të obliguar t’i përmbahen marrëveshjes që e ka arritur kryetari i partisë me partinë tjetër”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, kundërshtimi i marrëveshjes nga gjashtë deputetë të LDK-së ka pamundësuar për momentin realizimin e saj dhe zgjedhjen e Presidentit.
“Këtu ndodhi ajo që e pamë, doli grupi prej gjashtë deputetëve që e kundërshtuan këtë marrëveshje. Dhe kjo marrëveshje për momentin e paralizon mundësinë e zgjedhjes së Presidentit”, ka thënë ai.
I pyetur nëse gjashtë deputetë mund të jenë më të fuqishëm se dy kryetarët e partive, Shala tha se çështja lidhet me numrat që kanë dy partitë që kanë shprehur vullnet për arritjen e marrëveshjes.
“Këtu është për numrat e dy partive që kanë pasur vullnet për të arritur marrëveshje për të zgjedhur Presidentin”, u shpreh Shala.
Ai shtoi se në Kuvend ka edhe deputetë të tjerë, por sipas tij, ata nuk kanë shprehur vullnet për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit.
“Ka edhe deputetë të tjerë, por ata nuk i përkasin këtyre partive dhe nuk e kanë vullnetin për të ndihmuar për të zgjedhur Presidentin, edhe pse e kanë obligim”, deklaroi Shala.
