Ish-ambasadorja e Kosovës, Alma Lama, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit po zhvillohet jashtë afateve kushtetuese dhe se kriza institucionale në vend është thelluar.
Sipas saj, afati i rregullt prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ka kaluar më 7 gusht. Lama ka kritikuar partitë politike, duke thënë se PDK-ja dhe LDK-ja rrezikojnë të bëhen bashkëpërgjegjëse për shkeljen e Kushtetutës.
“Ai lloj i asaj seance është në terrenin jokushtetues. Afati i rregullt për konstituimin e Kuvendit ka kaluar më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve. Deputetët nuk e kanë shfrytëzuar afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe çfarëdo veprimi që bëjnë është antikushtetues. Mendoj që partitë politike janë duke gabuar. E pashë që PDK-ja dhe LDK-ja do ta bëjnë veten bashkëfajtore në shkeljen e Kushtetutës”, ka deklaruar Lama.
Ajo ka thënë se, sipas saj, shkeljet kushtetuese janë shfaqur në disa nivele të institucioneve, duke përmendur betimin e deputetëve, pozitën e kryeministrit dhe ministrave, si dhe ushtruesen e detyrës së presidentes.
“Kushtetuta e Kosovës është e pezulluar për themelimin e Parlamentit. Kemi betimin e deputetëve dhe kemi shkelje të Kushtetutës sa i përket pozitës së kryeministrit dhe ministrave, pra të kabinetit qeveritar. Kemi deputet që ushtron postin e ushtrueses së detyrës së presidentes. Kushtetuta po shkelet në mënyrë të qëllimshme”, është shprehur ajo.
Lama ka shtuar se Albulena Haxhiu do të mund ta vazhdonte detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes vetëm nëse nuk do të ishte betuar si deputete, ndërsa sipas saj, edhe kryeministri që është betuar si deputet është në shkelje të Kushtetutës.