Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Rasti është identifikuar më 9 shtator 2026, kur policia ka ndaluar një automjet të dyshuar pa targa, i cili dyshohet se transportonte mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit, të cilin e drejtonte një mashkull kosovar, janë gjetur sasi të ndryshme mallrash, përfshirë susam, qumësht pluhur, boca gazi, poça elektrikë dhe çokollata.
Sipas policisë, vlera e mallrave, bazuar në çmimet e tregut, është rreth 20 mijë euro, pa përfshirë akcizat dhe detyrimet doganore.
I dyshuari nuk ka poseduar dokumentacion për prejardhjen e mallrave.
“Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka ndaluar një automjet të dyshuar pa targa në brezin kufitar RMV-RKS, i cili dyshohet se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
I dyshuari, së bashku me automjetin, është shoqëruar në SPMK-Kllokot për procedim të mëtejmë të rastit.
Ndërkaq, në konsultim me prokurorin, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme.