Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se LDK-ja nuk e ka kontestuar vullnetin e deputetëve për të përkrahur ose jo kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga partitë opozitare.
Lushaku tha se partia e saj beson se propozimi për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë politike, duke theksuar se ky parim duhet të respektohet për të gjitha partitë.
“Në emër të LDK-së ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të përkrahur apo mos të përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se LDK-ja, në votimin individual të kandidatëve, ka vendosur t’i mbështesë propozimet e grupeve parlamentare, për sa kohë kandidatët nuk kanë probleme me ligjin.
“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar, morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e GP-ve, të cilët janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, deklaroi Lushaku.
Sa i përket vazhdimit të seancës konstituive, ajo tha se pret që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, deputetët të rikthehen në sallë për ta vazhduar procesin.
“Pres që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë me konstituimin. Dua të them edhe një herë që nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm”, tha Lushaku.
Ajo theksoi rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve, veçanërisht në prag të 16 shtatorit, duke thënë se pas një periudhe të gjatë të mosfunksionalizimit të plotë institucional, institucionet duhet të kthehen sa më shpejt në funksion.