Muralet, këngët dhe fjalimet për kriminelët e luftës mund të bëhen vepër penale në Mal të Zi

Muralet, grafitet, këngët, pankartat, fjalimet dhe forma të tjera të shprehjes publike që glorifikojnë kriminelët e luftës të dënuar me vendime të formës së prerë, në të ardhmen mund të trajtohen si vepra penale në Mal të Zi.

Grupi parlamentar i Partisë Boshnjake (BS), pjesë e koalicionit qeverisës, ka propozuar ndryshimin e Nenit 370 të Kodit Penal të Malit të Zi, i cili tashmë sanksionon forma të caktuara të miratimit publik, mohimit ose justifikimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.

Amendamenti i propozuar synon ta zgjerojë këtë dispozitë edhe me glorifikimin publik të individëve të dënuar me vendim të formës së prerë për këto krime.

Nisma vjen në një kohë kur në Mal të Zi është intensifikuar debati për ekzistencën e një boshllëku ligjor që mundëson glorifikimin e kriminelëve të luftës pa pasoja penale.

Debati është nxitur veçanërisht pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pas vdekjes së Mlladiqit, pati një sërë reagimesh publike në mbështetje dhe glorifikim të tij, përfshirë deklarata nga politikanë malazezë dhe pjesëtarë të klerit të Kishës Ortodokse Serbe.

Ndër ta ishte edhe Andrija Mandiq, kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, i cili njoftoi se kishte dërguar telegram ngushëllimi pas vdekjes së Mlladiqit. Për shkak të këtij veprimi, deputetët pritet të shqyrtojnë më 24 shtator edhe nismën për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Kodi Penal i Malit të Zi tashmë parashikon përgjegjësi penale për miratimin publik, mohimin e ekzistencës ose minimizimin e konsiderueshëm të rëndësisë së gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, kur këto vepra janë kryer ndaj një grupi të mbrojtur ose një anëtari të tij.

Megjithatë, për t’u zbatuar kjo dispozitë, sjellja duhet të jetë e tillë që mund të çojë në dhunë ose të nxisë urrejtje. Për këtë vepër parashihet dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Sipas propozuesve, problemi qëndron në faktin se ligji aktual nuk e përcakton shprehimisht glorifikimin e individëve të dënuar për krime lufte me vendim të formës së prerë.

Pikërisht për këtë arsye, disa raste ku janë bërë kallëzime penale kanë përfunduar me hedhjen poshtë të tyre.

Një nga rastet e fundit lidhet me Mitropolitin Metodije të Budimlja-Nikshiqit. Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë hapi rast pas deklaratave të tij lidhur me Ratko Mlladiqin, ndërsa më herët Prokuroria e Lartë e Shtetit në Bijelo Polje kishte hedhur poshtë kallëzimet ndaj tij për fjalime në të cilat ai kishte glorifikuar komandantin çetnik Pavle Djurishiq.

Sipas Partisë Boshnjake, raste të tilla tregojnë nevojën për një përkufizim më të qartë ligjor dhe ndalimin e glorifikimit publik të kriminelëve të luftës të dënuar me vendime të formës së prerë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika