Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqyteti do t’i mirëpresë qytetarët që do të marrin pjesë në “Marshin për Liri”.
Rama, mes tjerash, thotë se Prishtina do të mbetet “shtëpia e dinjitetit dhe e zërit për drejtësi”, njofton Dukagjini.
Ai ka njoftuar se gjatë ditës transporti urban në kryeqytet do të jetë falas, ndërsa falas do të jetë edhe parkingu te Pallati i Rinisë.
“PRISHTINA MIRËPRET TË GJITHË QYTETARËT NË MARSHIN PËR LIRI! Kryeqyteti gjithmonë do të mbetet shtëpia e dinjitetit dhe e zërit për drejtësi. Sot, transporti urban në Kryeqytet ështa FALAS! Parkingu te Pallati i Rinisë, Falas! Mirë se vini në Prishtinë!”, ka shkruar Rama.
Marshi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është planifikuar të mbahet nga ora 14:00 nëpër sheshet e Prishtinës, katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale.