Izraeli thotë se ka shkatërruar një bazë të madhe nëntokësore të Hezbollahut në jug të Libanit

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka shkatërruar një kompleks të madh nëntokësor të Hezbollahut në jug të Libanit, duke përdorur më shumë se 1 mijë tonë eksplozivë për të shembur dy tunele me gjatësi mbi dy kilometra.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), shpërthimi në zonën e kreshtës Ali Taher shkaktoi lëkundje sizmike të barasvlershme me një tërmet me magnitudë 4.1, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Pamjet e publikuara nga IDF tregojnë një top të madh zjarri që ndriçon qiellin pas shpërthimit.

Një banor i Nabatiehut, rreth gjashtë kilometra në perëndim të kreshtës, i tha BBC-së se pas shpërthimit shtëpia e tij u drodh sikur të kishte ndodhur një tërmet.

“Qielli u ndriçua dhe rreth 15 sekonda më vonë dëgjuam zhurmën e tmerrshme. E gjithë shtëpia u drodh, sikur të ishte fjalë për fjalë një tërmet”, tha ai.

Sipas tij, njerëzit bërtisnin, fëmijët qanin dhe shumë banorë u larguan nga zona në drejtim të Bejrutit. Lëkundjet u ndjenë edhe në qytetin bregdetar të Saidas, rreth 40 kilometra në veri.

IDF tha se infrastruktura nëntokësore përfshinte një qendër komanduese të përdorur nga njësia Badr e Hezbollahut. Sipas ushtrisë izraelite, në kompleks ndodheshin dhjetëra raketa, predha dhe mjete ajrore pa pilot, si dhe armë antitank, mina dhe eksplozivë.

“Ky ishte një infrastrukturë strategjike që u ndërtua gjatë dy dekadave, e financuar dhe planifikuar nga regjimi terrorist iranian”, deklaroi IDF.

Ushtria izraelite pretendoi gjithashtu se të gjithë militantët që ndodheshin brenda kompleksit “u eliminuan ose u larguan”.

Shkatërrimi i kompleksit, sipas IDF-së, shënon përfundimin e një operacioni për shkatërrimin e tetë tuneleve dhe krijimin e një “zone sigurie” në këtë pjesë të jugut të Libanit.

Hezbollahu dhe qeveria libaneze nuk kanë bërë menjëherë një reagim publik ndaj deklaratave izraelite.

Forcat izraelite morën kontrollin e kreshtës Ali Taher javën e kaluar, pas muajsh luftimesh me Hezbollahun. Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të territorit në jug të Libanit, të pushtuar pas rifillimit të konfliktit me grupin e mbështetur nga Irani në mars.

Mediat libaneze raportuan gjithashtu për sulme të reja izraelite në pjesë të tjera të jugut të vendit, përfshirë Nabatieh al-Fawqa dhe Mansourin, në zonën e Tirit.

Ndërkohë, ushtria libaneze ka shtuar praninë e saj në zonat që nuk janë nën kontrollin izraelit, përfshirë qytetin jugor të Nabatiehut, në përpjekje për të forcuar stabilitetin dhe për t’i siguruar banorët.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 330 mijë persona në Liban vazhdojnë të jenë të zhvendosur për shkak të konfliktit. Aktiviteti ushtarak izraelit, sulmet ajrore, shkatërrimet dhe kufizimet për kthimin në zonat e pushtuara nga Izraeli kanë penguar shumë prej tyre të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Në kuadër të marrëveshjes mes Libanit dhe Izraelit, Hezbollahu pritet të çarmatoset, ndërsa forcat izraelite të tërhiqen gradualisht nga jugu i Libanit dhe ushtria libaneze të vendoset në këtë zonë. Hezbollahu nuk ishte drejtpërdrejt pjesë e marrëveshjes dhe ka kundërshtuar negociatat e drejtpërdrejta.

Pavarësisht uljes së intensitetit të luftimeve, sulmet izraelite dhe demolimet në jug të Libanit kanë vazhduar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 4,383 persona, përfshirë 395 gra dhe 259 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban që nga 2 marsi. Vetëm gjatë kësaj jave janë vrarë të paktën 29 persona. Shifrat nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Autoritetet izraelite thonë se gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë 40 ushtarë izraelitë dhe katër civilë.

 

Të fundit nga rubrika