Para vendimit të Speciales, Berisha ngre alarmin për profile false për nxitje dhune e përçarjeje

Eksperti i çështjeve kibernetike, Halil Berisha, ka paralajmëruar për një operacion të organizuar përmes profileve të dyshimta dhe false, të cilat, sipas tij, synojnë nxitjen e dhunës dhe përçarjes në Kosovë.

Berisha ka thënë se aktiviteti i këtyre profileve është intensifikuar në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, duke ngritur shqetësime për përhapjen e dezinformatave dhe thirrjeve të rrezikshme, njofton Dukagjini.

Sipas tij, metodologjia e veprimit të këtyre profileve ngjason me metoda të përdorura më herët nga inteligjenca ruse për fushata ndikimi dhe nxitje të përçarjeve, përfshirë edhe raste në SHBA.

“Kohëve të fundit, kjo luftë hibride e kibernetike është bërë prezente dhe koordinohet nga ‘troll farms’ që shpesh është dëshmuar për origjinën e tyre në Rusi dhe vendet mike të saj sikurse Serbia”, ka shkruar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se nga analiza e kryer për këto profile janë identifikuar mënyra veprimi që, sipas tij, janë të ngjashme me ato të përdorura nga inteligjenca ruse në fushata për ndikim dhe përçarje.

“Këto profile në mënyrë të koordinuar dezinformojnë dhe postojnë e komentojnë kryesisht nëpër media dhe persona me ndikim”, ka theksuar ai.

Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e thirrjeve dhe dezinformatave që mund të shpërndahen përmes këtyre profileve, ndërsa ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës t’i kenë parasysh ato.

Të fundit nga rubrika