Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar pas votimit të Qeverisë së re në Kuvend.
Haxhiu vlerëson se përpara institucioneve të vendit janë shumë punë të përbashkëta, përfshirë reformat, zhvillimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo ka theksuar se Kuvendi do ta përmbushë rolin e tij përmes ndjekjes së agjendës legjislative dhe mbikëqyrjes parlamentare të punës së ekzekutivit.
“Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Mes tjerash, Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve që ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që procesi i zgjedhjes së Presidentit të përmbyllet me sukses.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka shkruar ajo.