Një tren që transportonte Boris Johnson dhe ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus, mund të ketë qenë objektiv i një sulmi me dron nga Rusia, i cili goditi lokomotivën e një treni pranë kufirit Poloni-Ukrainë, sipas Hekurudhave të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e përshkroi sulmin si “terrori i Putinit që po troket drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Sulmet gjatë natës në të gjithë Ukrainën, me më shumë se 450 dronë dhe raketa ruse, vranë të paktën gjashtë persona dhe plagosën më shumë se 40 të tjerë. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kishin interceptuar 405 dronë dhe katër raketa.
Ukraina perëndimore, e cila zakonisht është më e qetë se Kievi apo zonat e frontit në lindje, u godit veçanërisht rëndë.
Sulmet shkaktuan aktivizimin e alarmit ajror në Poloni, e cila ndan kufi me Ukrainën perëndimore.
Autoritetet ukrainase dhe polake thanë se një kamion, më pak se 1 kilometër larg pikës kufitare Dorohusk-Yahodyn mes dy vendeve, u godit gjithashtu.
Katerina Sergatskova, drejtoreshë e organizatës Daily Humanity, e cila ofron trajnime për njerëzit që punojnë në mjedise me rrezik të lartë, po udhëtonte me një tren drejt Varshavës dhe dëshmoi sulmin.
Ajo tha se pasagjerëve iu kërkua të evakuoheshin rreth orës 09:00, ndërsa treni po i afrohej kufirit me Poloninë, pasi më herët gjatë natës u ishte kërkuar të zbrisnin nga treni për dy orë.
“Në këtë pikë, atmosfera ishte ndryshe, na u kërkua të lëviznim shumë shpejt”, tha ajo. “Pastaj dëgjova dronin e parë.
“Të shohësh dhe të dëgjosh dronët Shahed vetëm disa qindra metra larg kufirit është një përvojë shumë e pakëndshme.”
Nuk është raportuar për viktima në tren.