Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidimi për president të Kosovës për shkak të, siç tha, mungesës së nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e tij.
Ai tha se për këtë vendim e ka njoftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti që e propozuan si kandidat të përbashkët për president.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Ai ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën duke qenë i vetëdijshëm për krizën institucionale nëpër të cilën po kalon vendi dhe me synimin që të kontribuojë në zhbllokimin e saj.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se nuk ka pasur ambicie për poste publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale, duke thënë se motivi kryesor për ta pranuar kandidaturën ishte shërbimi ndaj vendit.
“Motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, ka shkruar ai.
Megjithatë, Sejdiu ka thënë se mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet e brendshme politike e kanë shtyrë atë të tërhiqet nga gara.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sejdiu.
Ai ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar më herët përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Sejdiu ka falënderuar gjithashtu kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i është dhënë gjatë ditëve të fundit.
“Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional”, ka deklaruar ai
Në fund, Sejdiu u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale dhe të shmangin thellimin e polarizimit politik.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se Kosova është “shtëpia e përbashkët” e qytetarëve dhe se shërbimi ndaj saj duhet të jetë mbi interesat individuale dhe partiake.
“Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, ka përfunduar Sejdiu.