Një 21-vjeçare ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet në fshatin Vlashnje të Prizrenit.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:25, në rrugën që çon drejt fshatit Kobaj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se këmbësorja, pas aksidentit, është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
“Me datën 16.09.2026, rreth orës 20:25, është raportuar një aksident trafiku në fshatin Vlashnje, në rrugën në drejtim të fshatit Kobaj, në Prizren. Sipas informatave të para, një këmbësore rreth 21 vjeçare është goditur nga një automjet. Si pasojë e aksidentit, e njëjta ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se rreth orës 21:00, Policia është njoftuar nga spitali se 21-vjeçarja nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka vdekur.
Sipas Policisë, njësitet përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është arrestuar.