Një grup i studentëve kosovarë marshuan sot, nga Biblioteka Kombëtare deri në sheshin “Skënderbeu” e te qeveria, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që një ditë më parë u dënuan me 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara.
Të rinjtë nga universitete publike e private vepruan kështu, duke kundërshtuar vendimin e Hagës, që u quajt shumë i rëndë për Kosovën dhe shqiptarët, në përgjithësi.
Ata mbanin në duar flamuj e simbole të tjera kombëtare dhe pankarta me mbishkrime “Jo në emër të studentëve”, “Studentët kërkojnë drejtësi” dhe “Liri dhe drejtësi për heronjtë tanë”.
Gjatë gjithë marshimit, studentët kanë brohoritur në mbështetje të UÇK-së dhe kanë përmendur emrat e katërshes së UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protestuesit që nisën marshimin nga Biblioteka Kombëtare e vazhduan drejt sheshit “Skënderbeu”, e përfunduan atë te ndërtesa e Qeverisë.
Herë pas here, ata u dëgjuan duke kënduar.
Gjatë marshimit, atyre u janë bashkuar edhe një numër qytetarësh.
Përfaqësuesi i studentëve, Ilir Cani tha se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë dhe, siç pretendon, i ndikuar politikisht.
“Sot jemi mbledhur këtu për të protestuar ndaj këtij vendimi të padrejtë që iu bë çlirimtarëve tanë. Edhe ata ishin njëherë studentë që u çuan në protesta kundër padrejtësive. Sot ua ndjejmë borxh që të ngrihemi në protestë për ta. Liri çlirimtarëve! Rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar. Ne mendojmë se ai vendim është marrë me influencë politike, nuk ka të bëjë diçka me drejtësinë. Serbia ishte agresori dhe krimineli i vërtetë, jo UÇK-ja. Kjo protestë sot është paqësore, por në rast se nuk ka ndonjë ndryshim, paralajmërojmë protesta më të mëdha, sepse, siç e dinë të gjithë, çdoherë studentët kanë ditur të bëjnë dallime dhe premtojmë se do të kemi protesta më të mëdha. Por shpresojmë se kjo gjykatë e padrejtë dhe e shitur ta largojë atë vendim dhe t’i lirojë e t’i kthejë në shtëpi studentët tanë. Të gjithë studentët, privatë dhe publikë, pa dallim, kanë marrë pjesë në këtë marsh. Dhe ky është vetëm fillimi”, tha ai.
Ndër qytetarët që iu bashkuan protestës së studentëve ishte edhe luftëtari i UÇK-së, Binak Gashi i cili ka vlerësuar se lufta e kësaj ushtrie ishte e drejtë.
Ai ka theksuar rolin që, sipas tij, studentët kanë pasur historikisht në protestat në Kosovë dhe u ka bërë thirrje të rinjve që të vazhdojnë angazhimin e tyre.
“Sepse se lufta jonë ka qenë e drejtë edhe e pastërt. Për ju, shkolloni edhe të kryeni studimet e juaja, se sot dolëm në rrugë e studentët po cilësohen në rrugë. Ju falënderoj për vullnetin e madh që keni për lirine e tyre. Po së bashku nuk do të ndalemi deri në fund. Unë jam me juve në çdo moment, e shumë bashkëluftëtarë të tjerë janë me juve. Së bashku deri në fund kemi me u çu. Drejtësia ka me fitu!… Të formojnë komisionet për kontrollimin e vendimit që është marrë dje. Vendimi është shumë i tmerrshëm, krejt njerëzit janë paguar prej qarqeve të Serbisë për me dhënë deklarata të rreme, e kanë dhënë deklarata të rreme, krejt më parë! Gjithmonë edhe në kohën më të vështirë studentët kanë luajtur rolin kyç!”, ka deklaruar ai.
Gashi tha se veteranët janë të gatshëm të vazhdojnë përkrahjen e studentëve, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është në duart e këtyre të fundit./KP