Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Sulltani”, dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, i njohur me nofkën “Abaz Gjuka”, kanë komentuar në Debat Plus aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Selimi ka shprehur mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke thënë se ata duhet të jenë krenarë për sakrificën e bërë.
“Dua t’i përshëndes edhe ata që janë prapa grilave. Kosova është bashkë me ta. Ata duhet të jenë krenarë për punën dhe gjithë sakrificën që e kanë bërë për popullin”, tha Selimi.
Ai ka deklaruar se beteja ligjore nuk ka përfunduar dhe ka shprehur besimin se në apel mund të rrëzohen pikat e aktakuzës, përfshirë atë për “organizatë e përbashkët kriminale”.
Ndërkaq, Ahmeti e ka cilësuar aktgjykimin si padrejtësi dhe ka bërë thirrje që beteja të vazhdojë përmes rrugëve ligjore dhe diplomatike.
“Të huajt, duke e mosnjohur realitetin, na kanë bërë edhe tragjedi më të mëdha. Na kanë copëtuar. Në suaza të kësaj tragjedie të copëtimit historik të tokave shqiptare, ta marrim edhe këtë padrejtësi që u bë dje në këtë gjykatë”, tha Ahmeti.
Ai ka theksuar se nuk duhet të ketë dorëzim, duke shtuar se “betejë pas beteje fitohet lufta” dhe se përpjekjet duhet të vazhdojnë deri në lirimin e atyre që ai i konsideron të pafajshëm.