Një protestë gjithëpopullore mblodhi mijëra shqiptarë në qendër të Prishtinës.
Tek sheshi “Skënderbeu”, afër Qeverisë së Kosovës, protestuesit u mblodhën në kërkim të drejtësisë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dy ditë pas vendimit që u shqiptua në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, brohoritjet s’pushuan për më shumë se një orë për ta.
Kërkesat ishin të qarta, e për to foli kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
“Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament, i themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria”, u shpreh Gucati.
Në ditë si këto, në ballë të protestës nuk munguan as fëmijët e ish-krerëve të UÇK-së.
Djali i Jakup Krasniqit, Altini, bëri thirrje për bashkim, duke kërkuar që të lihen anash edhe dallimet politike.
“Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik e çdo të zhdukuri, e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë. Sot nuk do të dorëzohemi”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ish-luftëtari i UÇK-së, Arientin Abdyli, tha se katërshja e dënuar, janë shënuesit e lirisë.
“Luftën tonë e bëmë pa maska, pa marre dhe të drejtë. Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të ngritur zërin, për padrejtësinë kundër katër komandantëve tanë, por për të mbrojtur një të vërtetë e cila nuk thyhet assesi me asnjë vendim”, u shpreh Abdyli.
Dardan Islami nga shoqëria civile, ka deklaruar se bashkimi i qytetarëve deri në këtë masë kundër një vendimi të tillë, ka dëshmuar para gjithë botës se gjithçka është e mundur.
“Do të dalë faqebardhë edhe këtë herë, do të triumfojë, dhe do t’i tregojë botës se shqiptarët nuk e kanë dhezë luftën, nuk ia kanë krisë këngës për me i sundu të tjerët”, u shpreh ai.
Përpos shkarkimit të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës, në protestën e sotme, u kërkua edhe ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që iu duhet krerëve të UÇK-së.