SHBA-ja dhe Danimarka arrijnë marrëveshje për Grenlandën

SHBA-ja dhe Danimarka kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje për sigurinë e Grenlandës, duke zbutur një përplasje diplomatike të shkaktuar nga kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e territorit me forcë.

Trump deklaroi se marrëveshja do t’i japë SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” të Grenlandës. Ai tha gjithashtu se marrëveshja nuk do të ketë kosto për Shtetet e Bashkuara dhe do t’i mundësojë Uashingtonit “të bëjë atë që është e nevojshme” për të garantuar dhe mbrojtur sigurinë e territorit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Sipas Trumpit, marrëveshja përfshin një dispozitë që ndalon kundërshtarët e SHBA-së të kenë prani ushtarake apo të kryejnë investime të ndjeshme në Grenlandë pa miratimin e shprehur me shkrim të SHBA-së.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen konfirmoi se marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë javës së ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se marrëveshja “forcon sigurinë tonë të përbashkët në zonën e Arktikut dhe Atlantikut të Veriut”, ndërsa njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje.

Frederiksen shtoi se marrëveshja duhet të miratohet nga ligjvënësit dhe të kalojë nëpër procedurat e nevojshme parlamentare për të hyrë në fuqi.

Kreu i Qeverisë së Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se ishte “e kënaqshme” arritja e marrëveshjes, e cila sipas tij garanton dhe forcon sigurinë e Grenlandës, Danimarkës dhe SHBA-së.

“Marrëveshja njeh interesat e Grenlandës dhe vendin tonë në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo është në të mirë të të gjithëve”, tha Nielsen.

Sipas një zyrtari të paidentifikuar të Departamentit amerikan të Shtetit, marrëveshja parashikon që ajo të mos skadojë edhe nëse Grenlanda bëhet e pavarur në të ardhmen. Zyrtari tha se SHBA-ja do të ketë të drejtë të ndërtojë struktura të tjera ushtarake pa pasur nevojë për miratim nga Grenlanda apo Danimarka, si dhe do të ketë të drejta të përhershme për qasje, bazim dhe fluturime mbi territor.

Marrëveshja parashikon gjithashtu ndalimin e vendeve jashtë NATO-s që të ndërtojnë baza ushtarake në Grenlandë dhe kufizon investimet nga shtetet që konsiderohen kërcënim për sigurinë amerikane, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Megjithatë, teksti zyrtar i marrëveshjes ende nuk është publikuar, ndaj mbetet e paqartë se sa ndryshon ajo nga marrëveshja e vitit 1951 mes SHBA-së dhe Danimarkës, e cila tashmë i lejon Uashingtonit të dërgojë trupa në Grenlandë.

SHBA-ja ka tashmë më shumë se 100 ushtarakë të vendosur në mënyrë të përhershme në bazën Pituffik, në veriperëndim të Grenlandës.

Trump ka argumentuar prej muajsh se Grenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane, duke përmendur pozicionin e saj strategjik, kërcënimet nga Rusia dhe Kina, si dhe pasuritë e mëdha minerare të ishullit. Ai ka lidhur gjithashtu rëndësinë e territorit me planin amerikan për ndërtimin e sistemit mbrojtës “Golden Dome”, që synon mbrojtjen e SHBA-së nga sulmet me raketa.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe “një fitore të madhe për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan”, duke thënë se ajo adreson në mënyrë të përhershme shqetësimet e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Grenlandë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika