Një kolonë tymi të zi është parë pranë aeroportit ndërkombëtar të Riadit, disa orë pasi në kryeqytetin e Arabisë Saudite u lëshuan alarme për sulme ajrore.
Ky ishte alarmi i parë i këtij lloji për banorët e Riadit, të cilëve iu kërkua të qëndronin brenda, që nga përshkallëzimi i fundit i konfliktit me rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, në Jemenin fqinj.
Në kryeqytet janë dëgjuar disa shpërthime, ndërsa probleme të mëdha janë raportuar në aeroportin ndërkombëtar “King Khalid”. Sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightRadar24, gjatë ditës janë regjistruar vonesa dhe anulime të fluturimeve.
Sipas një raportimi, një rezervuar karburanti pranë aeroportit është përfshirë nga zjarri. Autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë një koment zyrtar për incidentin.
Një gazetar i agjencisë AFP në vendngjarje raportoi se zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët në një rezervuar të djegur karburanti, në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit Aramco.
Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite kishte dërguar gjatë natës njoftime në telefonat e qytetarëve, duke paralajmëruar për rrezik të mundshëm në Riad dhe në rajone të tjera. Të shtunën në mëngjes u dha njoftimi se rreziku kishte kaluar.
Banorë të Riadit i thanë AFP-së, në kushte anonimiteti, se kishin dëgjuar një seri shpërthimesh që jehonin nëpër qytet pas lëshimit të alarmeve.
“E dëgjova alarmin dhe më pas u drodhën dritaret”, tha një 27-vjeçar nga veriu i Riadit. “Ishte vërtet e frikshme. Nuk e prisja këtë.”
Të premten, Huthitë pretenduan se kishin zmbrapsur sulmet saudite ndaj kryeqytetit jemenas, Sana, për të cilat thanë se mbanin shenja të një operacioni të Shtetit Islamik.
Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya al-Sarea, tha se Arabia Saudite kishte kryer rreth 300 sulme në Jemen gjatë javës së fundit.
Ai paralajmëroi se sulmet e raportuara ndaj Sanasë “nuk do të mbeten pa përgjigje” raporton BBC.
Huthitë janë në konflikt të armatosur me qeverinë e Jemenit, të njohur ndërkombëtarisht, e cila mbështetet nga Arabia Saudite.
Në muajt e fundit, Huthitë kanë sulmuar disa herë objektiva brenda Arabisë Saudite. Këtë javë, ata gjithashtu pretenduan se ishin përgjegjës për rrëzimin e një avioni luftarak saudit mbi territorin e Jemenit.