Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia dhe Kosova do të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.
Këtë deklaratë Erdogan e bëri gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të zhvilluar në “Shtëpinë Turke” në New York, ku të dy liderët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.
Sipas njoftimit të Zyrës për Komunikim të Presidencës së Turqisë, gjatë takimit është diskutuar edhe për rritjen e vëllimit tregtar ndërmjet dy vendeve.
“Presidenti Erdogan deklaroi se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar në një mënyrë që i përshtatet potencialit të tyre, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Erdogan ka rikonfirmuar mbështetjen e Turqisë për Kosovën në përpjekjet e saj për të arritur vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetjen e Turqisë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.
Gjatë takimit, presidenti turk e ka ftuar kryeministrin Kurti të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.
Ndërkaq, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit me Erdoganin është diskutuar edhe për aktvendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.