Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, në lidhje me ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të iniciuar gjatë së hënës.
I pyetur për këtë çështje gjatë konferencës së mesditës, zëdhënësi Christian Wigand, ka shmangur përgjigjen duke përsëritur qëndrimin se Specialja, është institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës e që operon brenda sistemit ligjor kosovar.
“Puna e Dhomave është e rëndësishme për të siguruar llogaridhënie, për të dhënë drejtësi për viktima dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë,”ka thënë Wigand.
Ai ka rikujtuar se të dënuarit nga shkalla e parë, kanë të drejtë për të apeluar vendimin në shkallë të dytë, dhe se mbështetja e BE-së për Dhomat e Specializuara është e qëndrueshme dhe do të mbetet e tillë.