Përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka folur për simbolikën e datës 1 Tetor, kur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet marshi “Jo në emrin tim”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Tasholli ka thënë se zgjedhja e 1 Tetorit për mbajtjen e marshit nuk është e rastësishme, duke e ndërlidhur këtë datë me protestën studentore të 1 Tetorit 1997.
Sipas tij, kjo datë përfaqëson një moment simbolik të rolit që studentët dhe të rinjtë kanë pasur në proceset e rëndësishme të Kosovës.
“E ka simbolikën e saj. Ka qenë nëse mund të themi ndryshim paradigmatik, ku studentët dalin ’97 atje. Dhe simbolikë e tillë se studentët kanë qenë në ballë të secilit proces. Dhe nëse e keni parë tashme nëpër krejt sheshet e Kosovës janë ato të ri e të reja që në mënyrë simbolike i bëjnë roje UCK. Dikur UCK-ja i ka bërë Kosovës, sot rinia i është me ta. Ajo simbolikë është nënkuptuar, se të gjitha e dimë 1 tetorin si ngjarje…”, ka thënë Tasholli.
Marshi “Jo në emrin tim” do të mbahet më 1 Tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 16:00. Sipas platformës “Liria Ka Emër”, një protestë me të njëjtin mesazh do të mbahet edhe më 10 Tetor në Bruksel.
Platforma ka njoftuar gjithashtu se do të nisë peticionin qytetar “Jo në emrin tim”, i cili synohet të dërgohet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.
