Kontestimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është duke e shqyrtuar edhe më tutje Gjykata Kushtetuese.
Në një përgjigje për televizionin, nga ky institucion shkurt kanë thënë se të njëjtit janë duke e shqyrtuar këtë lëndë në përputhje me ligjin e rregulloren për këtë gjykatë.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet nga Kushtetuesja.
Partia Demokratike e Kosovës, dërgoi dy kërkesa në Kushtetuese, një për konstituimin e Kuvendit e tjetrën për votimin e qeverisë.
Por, me shpalljen e aktgjykimit ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë edhe rrethana për këtë çështje ndryshuan.
Në emisionin Debat Plus, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se janë të gatshëm të tërheqin kërkesat e tyre nga Kushtetuesja nëse LVV-ja i voton ndryshimet e propozuara në Ligjin për Gjyjkatën Speciale.
“Nëse Kushtetuta u shkel për gjërat më banale unë do ta pranoja për herë të parë në jetën time që të shkel Kushtetutën me vetëdije nëse ka naj shkelje për të kaluar këtë ligj kaq të rëndësishëm”, u shpreh Gruda.
Pas këtij kushtëzimi, nga PDK-ja, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë përgjigjur gjatë ditës, ndërkohë që një ditë më parë thanë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës dhe se do i analizojnë ndryshimet e propozuara.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se pavarësisht si veprojnë partitë politike, Kushtetuesja duhet të e trajtojë këtë çështje.
“Në rastin konkret dmth kemi haptazi një dimension të qartë të interesit publik përkitazi me vendimarrjen në këtë çështje bëhet fjalë për Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe funksionimin e institucioneve të tjera kushtetuese që paraqesin një interes të lartë publik për tu shqyrtuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gëzim Shala nga IKD-ja.
Legjislatura e 11 e Kuvendit të Kosovës, u konstitua më 13 shtator, pas zgjedhjes së kryetares Albulena Haxhiu dhe katër nënkryetarëve, pa nënkryetarin nga PDK-ja.