Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë kanë zhvilluar bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti mes dy vendeve.
Në takimi e ndërmjetësuar nga Katari, mori pjesë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi dhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff.
Bëhet fjalë për kontaktin e parë të këtij niveli që nga dështimi i armëpushimit të arritur në qershor, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Deri tani nuk është raportuar ndonjë përparim konkret nga bisedimet. Witkoff tha se raundi i diskutimeve kishte përfunduar dhe se shpresonte që ato të rezultonin konstruktive.
“Përfunduan me sukses një raund diskutimesh që shpresojmë se do të dëshmohet konstruktiv dhe premtues. Ndërmjetësuesit do të vazhdojnë punën e tyre”, tha Witkoff.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, bisedimet u zhvilluan përmes ndërmjetësve nga Katari, të cilët përcollën kushtet e Teheranit. Ndër kërkesat e Iranit janë përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe ndalimi i asaj që Teherani i cilëson si “akte agresioni” nga SHBA-ja.
Bisedimet u zhvilluan në të njëjtën ditë kur presidenti Trump, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, përdori një gjuhë të ashpër ndaj Iranit.
Trump tha se konflikti kishte penguar Iranin të siguronte një armë bërthamore dhe argumentoi në favor të asaj që e përshkroi si “paqe përmes forcës”.
“Do të bëhet një marrëveshje me Iranin që do t’i lejojë ata të rindërtojnë dhe të krijojnë një vend shumë më të madh se ç’ka qenë ndonjëherë më parë?”, deklaroi Trump.
“Ose ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj këtë shpejt, duke mos u dhënë kurrë atyre mundësinë të vrasin dhe shkatërrojnë njerëz dhe vende përsëri? T’i çoj në ferr?”, shtoi ai.
Më vonë, Trump u tha gazetarëve se zyrtarët amerikanë kishin zhvilluar një takim “shumë produktiv” prej tri orësh me delegacionin iranian në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.
Televizioni shtetëror iranian konfirmoi se ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ishte takuar me Witkoffin, ndërsa Witkoff tha se kontaktet ishin zhvilluar përmes ndërmjetësve të Katarit, të cilët gjatë ditës kishin lëvizur mes dy palëve.
Konflikti shpërtheu pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani iu përgjigj duke sulmuar Izraelin, bazat amerikane në Gjirin Persik dhe aleatët arabë të SHBA-së, ndërsa bllokoi edhe ngushticën e Hormuzit.
Para luftës, përmes kësaj ngushtice kalonte rreth 20 për qind e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që përdoret në botë. Mbyllja e saj ka shkaktuar luhatje të mëdha në çmimet e energjisë dhe ka shtuar presionin ndaj administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit.
Që nga dështimi i armëpushimit, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer herë pas here sulme. Irani ka sulmuar anije që, sipas tij, janë përpjekur të kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit pa autorizim, ndërsa SHBA-ja ka goditur objektiva iraniane në ngushticë dhe cisterna iraniane pranë brigjeve të Iranit.
Uashingtoni ka vendosur gjithashtu një bllokadë ndaj porteve iraniane, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në ekonominë e vendit.
Në përpjekje për ta detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje, Trump ka kërcënuar me sanksione edhe ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Iranin. Megjithatë, deri tani nuk ka shenja për ndryshim të qëndrimit iranian.
Teherani këmbëngul se SHBA-ja dhe Izraeli duhet t’i japin fund luftës, përfshirë sulmet ndaj grupit shiit Hezbollah në Liban, i cili mbështetet nga Irani.
Ndërkohë, Huthit në Jemen, të cilët janë aleatë të Iranit, kanë intensifikuar sulmet që synojnë pengimin e transportit të naftës nga Arabia Saudite, duke zgjeruar më tej përplasjen në rajon.
Trump: Për Iranin përballem me një “vendim të madh”, marrëveshja apo asgjësimi
