Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit.
Gjini ka thënë se Aleanca e ka paralajmëruar vazhdimisht se afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po zvarriteshin dhe se, sipas tij, partia që kishte fituar zgjedhjet e kaluara e kishte shtyrë procesin drejt zgjedhjeve të reja.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar. Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Sipas tij, që nga 7 qershori, partia që kishte fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur procesin me qëllim që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka shkruar Gjini.
Ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses e ka nxjerrë Kosovën nga një moment i paparashikuar i krizës, duke iu referuar edhe datës 6 tetor si përfundim i afatit për zgjedhjen e Presidentit.
Gjini ka kritikuar gjithashtu shkeljet kushtetuese, duke thënë se ato nuk mund të arsyetohen me interesa patriotike.
“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar ai.
Gjini ka thënë se qytetarët e Kosovës i kanë të qarta, sipas tij, “lojërat politike për interesa të ngushta partiake”, si dhe akterët që ofrojnë zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët.
