Gruda: Kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar, LVV-ja s’mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai i ka konfirmuar qëndrimet që kjo parti i ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe.

Gruda ka deklaruar se Kushtetuta është shkelur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor. Sipas tij, afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Ai ka thënë se LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesave të saj politike dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç pretendon ai se ka synuar.

Gruda ka theksuar gjithashtu se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet dhe se kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet në vullnetin e shumicës parlamentare.

Sipas tij, tashmë kanë mbetur vetëm 13 ditë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”, ka shkruar Gruda.

Të fundit nga rubrika