Etiopia dhe Tigray akuzojnë njëra-tjetrën për ofensiva, duke nxitur frikën e një lufte të re

Qeveria e Etiopisë dhe autoritetet e rajonit verior të Tigray kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e ofensivave ushtarake, duke shtuar frikën për rikthimin e një konflikti të gjerë në këtë rajon.

Getachew Reda, ministër në kabinet dhe këshilltar i kryeministrit të Etiopisë, tha se luftëtarët tigrayanë kanë marrë kontrollin e aeroporteve të administruara nga qeveria federale në Tigray dhe kanë nisur ofensiva në rajonet fqinje Afar dhe Amhara.

Më herët, autoritetet e Tigrayt deklaruan se forcat e tyre ishin detyruar të hynin në një “luftë mbrojtëse”. Deklarata erdhi pas raportimeve për sulme me dronë në Tigray.

Lufta dyvjeçare në Tigray përfundoi në vitin 2022, por gjatë muajve të fundit të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së paqes, raporton BBC.

Konflikti ishte ndër më vdekjeprurësit e këtij shekulli. Ndërmjetësi i Bashkimit Afrikan vlerësoi se rreth 600 mijë persona humbën jetën, ndërsa luftimet e çuan rajonin në prag të urisë.

Të dielën, Fronti Popullor për Çlirimin e Tigrayt (TPLF), partia që drejton rajonin, njoftoi një aleancë me gjashtë grupe të tjera të armatosura në Etiopi, me synimin për të rrëzuar qeverinë në Addis Ababa.

“Është vërtet zemërthyese të mësosh se, pavarësisht përpjekjeve të shumë aktorëve, përfshirë komunitetin ndërkombëtar, për të shmangur një tjetër raund lufte në Tigray, udhëheqja e TPLF-së herët këtë mëngjes nisi një ofensivë të gjithanshme kundër pozicioneve qeveritare në Afar dhe Amhara”, tha Getachew në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Getachew, i cili më parë drejtoi administratën e përkohshme të Tigrayt, u përplas me TPLF-në në vitin 2025 dhe më pas iu bashkua qeverisë federale.

Pas marrjes së aeroporteve, Ethiopian Airlines ka anuluar të gjitha fluturimet drejt Tigrayt.

Banorët e Mekelles, qytetit kryesor të Tigrayt, i thanë BBC-së se forcat lokale morën kontrollin e aeroportit të qytetit nga policia kombëtare herët të mërkurën.

Kjo ndodhi pas raportimeve për sulme me dronë në Tigray gjatë ditëve të fundit. Të martën, një sulm në qytetin jugor Alamata vrau të paktën 14 persona dhe plagosi 22 të tjerë, sipas autoriteteve të Tigrayt.

Kryetari i bashkisë së Alamatës, Mogos Shiferaw, i tha BBC-së se më shumë se pesë dronë dhe një avion luftarak kryen mbi 21 sulme, duke nisur rreth orës 03:30.

“Ky sulm shkaktoi një traumë të madhe psikologjike në qytetin tonë dhe njerëzit ishin në gjendje paniku”, tha ai.

Mogos tha se të gjithë të vrarët dhe të plagosurit ishin civilë dhe akuzoi forcat federale se kishin shënjestruar dy shkolla të mesme.

Sipas tij, shkollat dyshohej se po përdoreshin nga forcat tigrayane.

Megjithatë, kryetari i bashkisë tha se shkollat, të cilat gjatë luftës civile kishin shërbyer si baza ushtarake të forcave federale, ishin të pabanuara, pasi viti i ri shkollor ende nuk kishte filluar.

BBC nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa qeveria etiopiane nuk ka komentuar raportimet për sulmet e dyshuara.

Të mërkurën, autoritetet e Tigrayt akuzuan Addis Ababan për nisjen e një “pushtimi të hapur” të rajonit, duke u bërë thirrje banorëve të mbështesin forcat rajonale dhe të ruajnë unitetin.

Autoritetet rajonale akuzuan gjithashtu qeverinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të drejtave të njeriut, duke thënë se shërbimet publike dhe infrastruktura kritike janë dëmtuar.

Të fundit nga rubrika