Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Përmes një postimi në platformën X, Konjufca tha se përgjegjësia për paqen dhe sigurinë nuk ndalet në kufij, pavarësisht distancës mes Kosovës dhe Gazës.
“Më shumë se një mijë kilometra e ndajnë Kosovën nga Gaza, por përgjegjësia për paqen dhe sigurinë nuk ndalet në kufij”, shkroi ai.
Konjufca bëri të ditur se Kosova mori pjesë në takimin informues të nivelit të lartë të Bordit të Paqes, ku, siç tha ai, u rreshtua përkrah vendeve që mbështesin Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Ai e cilësoi Kosovën si një histori suksesi, duke e lidhur këtë angazhim me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë 27 vjet më parë.
“Dikur një vend që kishte nevojë për mbështetje ndërkombëtare, sot ne kontribuojmë për paqen dhe sigurinë globale”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se Republika e Kosovës është e gatshme të japë kontributin e saj.
