Kurti takohet me Mickoskin në New York, diskutojnë tunelin Prizren-Tetovë dhe projektet energjetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe për avancimin e projekteve të përbashkëta mes dy vendeve.

Ai ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për projektin e tunelit Prizren-Tetovë, të cilin e ka cilësuar me rëndësi për qytetarët, zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve.

“Vazhduam bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë e në energji, përkatësisht për avancimin e projekteve të përbashkëta. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin.

Kurti ka thënë se të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat, sipas tij, kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, ka deklaruar Kurti.

Të fundit nga rubrika