Konjufca kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën SHBA-Adriatik

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën SHBA-Adriatik (A5), duke thënë se “ka ardhur koha që A5 të bëhet A6”.

Konjufca mori pjesë në takimin e A5, të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në fjalën e tij, ai falënderoi ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, për udhëheqjen e këtij formati dhe bëri thirrje për një A5 më të fuqishme, të mbështetur në qëndrueshmëri, solidaritet dhe llogaridhënie, me Kosovën si anëtare të plotë.

Duke folur për sigurinë rajonale, Konjufca përmendi sulmin terrorist në Banjskë, nga i cili nesër bëhen tri vjet. Në këtë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Konjufca tha se personat që kryen sulmin vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke e cilësuar rastin e Banjskës si dëshmi të rëndësisë së llogaridhënies për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ai përmendi edhe sulmin e vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, duke theksuar rëndësinë e këtij sistemi për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Sipas Konjufcës, ky sulm tregon nevojën që mbrojtja e infrastrukturës kritike nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride të jetë pjesë e pandashme e sigurisë rajonale.

“Ne u përballëm me të dyja këto sulme dhe dolëm fitimtarë”, tha Konjufca, duke shtuar se këto kërcënime nuk janë abstrakte për Kosovën, pasi vendi i ka përjetuar drejtpërdrejt.

Ai tha se Kosova është e gatshme të japë kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj këtyre kërcënimeve.

Konjufca theksoi se anëtarësimi i plotë i Kosovës në A5 do t’i mundësonte vendit të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe të kontribuojë më fuqishëm në sigurinë rajonale, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballimin e kërcënimeve hibride.

Të fundit nga rubrika