Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka përkujtuar trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë, duke nderuar policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Në një postim, ambasada ka vlerësuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës gjatë reagimit ndaj sulmit dhe rivendosjes së sigurisë, ndërsa ka përmendur edhe përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për ndjekjen e drejtësisë.
“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij”, thuhet në postimin e ambasadës.
Ambasada britanike ka theksuar se llogaridhënia mbetet thelbësore, duke vënë në dukje se personat përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë.
“Ne u bëjmë sërish thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka vlerësuar gjithashtu punën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë në përpjekjet për zbardhjen e rastit dhe ndjekjen penale të përgjegjësve.