Ambasada amerikane: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe Kuvendin për prioritetet e përbashkëta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se pret të punojë me Qeverinë e sapoformuar dhe Kuvendin e Kosovës për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Përmes një njoftimi të shkurtër në Facebook, Ambasada amerikane ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës do të përfshijë paqen në rajon, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me padurim bashkëpunimin me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, ndër të cilat paqja dhe stabiliteti rajonal, si dhe prosperiteti i ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës ishte shpallur i konstituuar më 13 shtator, pas zgjedhjes së nënkryetarëve, ndërsa pozita e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kishte mbetur e paplotësuar.

Albulena Haxhiu ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit më 9 shtator, me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.

Gjykata Kushtetuese, pas kërkesave të PDK-së, e kishte njohur konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, ndërsa kishte kërkuar që deputetët ta përfundojnë sa më shpejt edhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit që i takon PDK-së.

Të fundit nga rubrika