Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në dënimin për rastin e pengimit të drejtësisë.
Kërkesa është paraqitur në kuadër të rastit ku Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë po përballen me akuza për vepra që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, koha e kaluar në paraburgim duhet t’i llogaritet Thaçit vetëm në rastin kryesor për krime lufte, në të cilin ai është dënuar në shkallën e parë me 25 vjet burgim.
Ndërkohë, për rastin e pengimit të drejtësisë, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim.
Në kërkesën e saj, Prokuroria ka argumentuar se zbritja e kohës së paraburgimit edhe nga dënimi për pengim të drejtësisë do të mund të krijonte një efekt dekurajues për procedurat e drejtësisë.
“Asnjë i akuzuar nuk do të dekurajohej nga përfshirja në sjellje penguese, nëse do ta dinte se koha e kaluar në paraburgim do t’i zbritej përfundimisht nga dënimi i tij, si në çështjen kryesore, ashtu edhe në procedurat për pengim të drejtësisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Prokuroria ka theksuar se Thaçi gjatë gjithë këtyre procedurave ka qenë në paraburgim edhe në lidhje me akuzat në çështjen kryesore.
“Prandaj, duke pasur parasysh se gjatë gjithë këtyre procedurave THAÇI ishte gjithashtu në paraburgim në lidhje me akuzat në Çështjen 6, çdo kredi për kohën e vuajtur duhet të zbritet vetëm nga dënimi i tij në atë çështje”, thuhet më tej në kërkesë.
Në çështjen kryesore, Thaçi u dënua nga shkalla e parë me 25 vjet burgim.