Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, në një bisedë për Euronews Albania ka deklaruar se tri vjet pas sulmit në Banjskë, Kosova është në një betejë të ashpër për sigurinë dhe paqen, nëse i referohemi fjalimit të Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në një betejë të vështirë për të vërtetën dhe në një fazë të kërcënimit të vazhdueshëm nga strategjia hibride serbe, sidomos pas vendimit të Hagës më 16 shtator.
Bazuar në këto tri vjet, Serbia jo vetëm që nuk do ta dorëzojë Radojçiqin, por heroizimi i tij sot dhe glorifikimi i Mlladiqit për krimet që ka bërë dje, tregon strategjinë e saj perfide për të rishkruar historinë e luftërave gjatë viteve ‘90 dhe rehabilitimin e Millosheviqit, si premisa të qëllimeve drejt “Botës Serbe”.
Lidhur me vendimin Hagës ndaj krerëve të UÇK-së, Fetoshi e ka cilësuar dënimin shokues, të paargumentuar dhe që tregon se trupi gjykues ka vepruar nën diktatin e Prokurorisë. Kjo padyshim është sfida më e madhe për Kosovën, e cila kërkon që klasa politike të unifikohet sa më parë dhe që shteti ta marrë përsipër betejën për Apelin.
Ai është shprehur se kjo sfidë kërkon diplomaci proaktive, të bashkërenduar me Shqipërinë, fonde për ta përballuar koston dhe angazhim të ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për ta çmontuar vendimin e shkallës së parë. Qytetarët e kanë kaluar provën, tani është radha e politikës, për çka, ai u shpreh me besim që nga e hëna të mund të shohim hapa dhe veprime konkrete në këtë drejtim.
Ndërkaq, duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, Fetoshi vlerëson se zgjidhja është presion ndaj politikës për ta zgjedhur presidentin dhe për t’i dhënë përgjigjen e duhur situatës së krijuar pas 16 shtatorit.
“Do të duhej të gjenin presidentin e ri, nëse ka vullnet kjo mund të bëhet fare lehtë, ndonëse nuk jam shumë i bindur dhe ende s’kemi parë elemente që kjo do të bëhet”, ka thënë Fetoshi.