Klubet e Premier League kanë nisur të kërkojnë këshilla ligjore lidhur me mundësinë e kërkimit të kompensimit financiar nga Manchester City, pasi klubi është shpallur fajtor për shumicën dërrmuese të 115 shkeljeve të rregullave financiare për të cilat ishte akuzuar nga Premier League.
Sipas raportimeve të mediave britanike, një panel i pavarur ka konstatuar se 114 nga 115 akuzat ndaj Manchester Cityt janë vërtetuar. Vendimi ende nuk është bërë zyrtarisht publik nga Premier League.
Manchester City përballet tash me një procedurë të veçantë për përcaktimin e sanksioneve. Masat e mundshme përfshijnë zbritje pikësh, gjobë të madhe ose edhe përjashtim nga Premier League. Klubi pritet ta apelojë vendimin.
Manchester City ishte akuzuar për një gamë të gjerë shkeljesh të rregullave financiare, përfshirë pretendimet se kishte fryrë të ardhurat nga sponsorizimet përmes kompanive të lidhura me klubin, si dhe se kishte kryer pagesa jashtë librave financiarë për të anashkaluar rregullat e futbollit.
Vendimi vjen 1,327 ditë pasi Premier League ngriti akuzat ndaj Manchester Cityt në shkurt të vitit 2023, pas një hetimi që zgjati katër vjet. Ndërkohë, kanë kaluar rreth 22 muaj që nga përfundimi i seancave para komisionit të pavarur.
Një nga pasojat e mundshme të vendimit është edhe hapja e rrugës për kërkesa për kompensim financiar nga klubet rivale. Disa klube të Premier League, edhe para se të bëhej publik lajmi për vendimin e panelit, kishin kërkuar këshilla ligjore për të vlerësuar nëse mund të kërkojnë dëmshpërblim nga Manchester City.
Sipas një burimi të BBC-së, i cili më parë ka mbajtur një pozitë të lartë drejtuese në një klub të Premier League, klubet mund të paraqesin kërkesa individuale për kompensim ndaj Manchester Cityt. Një tjetër avokat i njohur ka thënë se kjo procedurë mund të koordinohet edhe nga vetë liga.
Një rast i ngjashëm është ai mes Evertonit dhe Burnleyt. Në qershor, Evertoni u urdhërua t’i paguante Burnleyt 35 milionë funte, pasi ishte konstatuar se kishte shkelur rregullat e fitimit dhe qëndrueshmërisë financiare (PSR) gjatë një periudhe trevjeçare. Burnley kishte argumentuar se shkeljet e Evertonit kishin ndikuar në mundësinë e klubit për të shmangur rënien nga Premier League.
Everton ka apeluar vendimin.
Ndërkohë, klubet e tjera të Premier League janë informuar për vendimin e panelit të pavarur. Sipas BBC-së, një grup i përzgjedhur drejtuesish të klubeve është njoftuar përmes emailit dhe është detyruar të nënshkruajë marrëveshje konfidencialiteti përpara se të shihte dokumentin e vendimit.
Sanksionet ndaj Manchester Cityt ende nuk janë përcaktuar. Për këtë do të zhvillohet një seancë e veçantë, e cila mund të zgjasë edhe disa muaj. Pas përcaktimit të dënimit, Manchester City pritet të ketë mundësi të apelojë.
Një proces i tillë mund të bëjë që pasiguria rreth çështjes të vazhdojë të ndikojë në Premier League edhe gjatë sezonit aktual.
Sipas BBC-së, një numër lojtarësh të Manchester Cityt nuk kanë klauzola në kontratat e tyre që u lejojnë të largohen në rast se klubi dëbohet nga Premier League si pasojë e sanksioneve.
Manchester City ka mohuar shkeljet. Në një deklaratë për BBC-në, klubi tha se procesi i Premier League është ende në zhvillim dhe se disa elemente të rëndësishme të tij nuk kanë përfunduar.
Klubi shtoi se gjatë tetë viteve të procesit ka respektuar procedurat dhe ka vepruar mbi bazën e pritjes që bordi dhe drejtuesit e Premier League do të silleshin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë.