Shtetasi kosovar Ardit Kutleshi, 28-vjeç, është deklaruar fajtor në Shtetet e Bashkuara për përfshirjen në krijimin dhe operimin e Rydox, një platformë online ku shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete të përdorura për krime kibernetike.
Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ndërsa rasti është shpërndarë edhe në rrjetet sociale nga FBI Cyber Division, e cila tha se Rydox kishte vendosur në shitje të dhëna të ndjeshme dhe identitete të vjedhura të mijëra personave.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Rydox ishte aktive të paktën që nga viti 2016 dhe gjatë kësaj periudhe realizoi më shumë se 7,600 transaksione, duke gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.
“Rydox vendosi në shitje mjete për krimin kibernetik dhe të dhëna sensitive, përfshirë identitetet dhe të dhënat e hyrjes së mijëra personave”, deklaroi Brett Leatherman, ndihmësdrejtor i Divizionit Kibernetik të FBI-së.
Ndërkohë, prokurori amerikan Troy Rivetti tha se Kutleshi dhe vëllai i tij Jetmir, i cili ishte deklaruar fajtor dhe ishte dënuar në dhjetor 2025 para se të deportohej në Kosovë, e kishin operuar platformën për përfitim financiar.
“Këto lloj krimesh kibernetike shkaktojnë jo vetëm humbje financiare, por edhe dëm psikologjik te viktimat”, tha Rivetti.
Në platformë tregtoheshin informacione personale, të dhëna për qasje në llogari dhe mjete që mund të përdoreshin për mashtrime online.
Kutleshi është deklaruar fajtor për vjedhje të rëndë identiteti dhe konspiracion për pastrim parash. Ai ishte arrestuar nga autoritetet në Kosovë në dhjetor të vitit 2024 dhe në vitin 2025 ishte ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane kishin sekuestruar domenin e Rydox në dhjetor 2024, duke ndërprerë funksionimin e platformës. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim mes FBI-së dhe institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe Malajzisë.