Universiteti i Harvardit e ka nderuar historianin dhe autorin britanik Noel Malcolm me gradën e nderit “Doctor of Laws”, ndërsa në profilin e publikuar për të nga “Harvard Gazette” është cituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në shkrimin e Harvardit për karrierën e Malcolm, Kurti e ka vlerësuar rolin e historianit gjatë periudhës së luftës në Kosovë në fund të viteve ’90, duke e përshkruar atë si një zë të rëndësishëm ndërkombëtar.
“Që në fillim të luftës në Kosovë, në vitin 1998, ai botoi rrëfimin historik ndërkombëtar më të rëndësishëm për vendin”, ka thënë Kurti, sipas “Harvard Gazette”.
Kurti ka thënë se puna e Malcolm ishte me rëndësi në një kohë kur, sipas tij, propaganda po përdorej për të justifikuar gjenocidin dhe për të dokumentuar diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve.
“Puna e tij ishte në kohën e duhur, pasi propaganda po përdorej për të justifikuar gjenocidin dhe ajo dokumentoi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Malcolm “e vendosi historinë në perspektivën e duhur në një moment kur historia e shtrembëruar po përdorej si armë, në mënyrë që e vërteta e së kaluarës të mund të formësonte një të ardhme më të drejtë”.
Harvard, në profilin e Malcolm, thekson se ai ka pasur një karrierë të gjatë si historian, autor dhe studiues. Ndër veprat e tij më të njohura është libri “Kosovo: A Short History”, i botuar në vitin 1998, si dhe “Bosnia: A Short History”.
Malcolm ka studiuar histori dhe letërsi angleze në Peterhouse të Universitetit të Cambridge-it dhe ka qenë anëtar i Gonville and Caius College. Në vitin 1999 ishte studiues vizitor në Harvard, ndërsa më vonë ka mbajtur ligjërata akademike në Oxford dhe Cambridge.
Ai është anëtar i Akademisë Britanike dhe i Royal Society of Literature, ndërsa është gjithashtu anëtar nderi i Peterhouse, Trinity dhe Gonville and Caius në Cambridge.
Harvard ka bërë të ditur se Malcolm është njëri nga pesë personat që janë nderuar me grada nderi në kuadër të ceremonive të Commencement 2026.