Partia Demokratike e Kosovës ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit pas miratimit të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas PDK-së, me miratimin e deklaratës, Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit, të cilin partia e vlerëson të padrejtë.
PDK-ja ka thënë se tash “është radha” e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti.
Partia i ka bërë thirrje Qeverisë që projektligjin ta procedojë pa vonesë në Kuvend, ndërsa grupeve parlamentare u ka kërkuar që ta trajtojnë dhe votojnë me urgjencë.
“Radha është e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK. Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”.
PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj.