Shefja e GP-së së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se kjo parti është e gatshme të kontribuojë në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se për LDK-në është e rëndësishme shmangia e zgjedhjeve.
Në prononcim për media pas përfundimit të seancës së Kuvendit, Lushaku-Sadriu tha se për të gjetur zgjidhje për funksionalizimin e institucioneve nevojitet vullneti i të gjitha partive politike.
Lushaku-Sadriu theksoi se LDK-ja nuk është aktualisht në një pozicion për të deklaruar mbështetje ose kundërshtim ndaj një kandidati të caktuar për president, por është e gatshme të japë kontribut në proces.
“Ne jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në situatë që mund të themi që jemi pro ose kundër një kandidati. Por jemi të gatshëm që të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit. Ne kemi shkuar edhe në bisedime, kemi dhënë kontribut në proces, sepse jemi të interesuar që Kosova të ketë institucione”, ka deklaruar ajo.
Ajo shtoi se LDK-ja ka marrë pjesë edhe në bisedimet e mëparshme për këtë çështje, me qëllim që Kosova të ketë institucione funksionale.
Duke folur për Deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, Lushaku-Sadriu tha se e vlerëson faktin që në tekst janë përfshirë komentet e të gjitha partive politike.