Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, e ka analizuar fjalimin e Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si përpjekje për ta paraqitur Serbinë viktimë të rendit ndërkombëtar, duke zhvendosur përgjegjësinë drejt Perëndimit.
Sipas Fetoshit, narrativat për Kosovën, akuzat ndaj Kroacisë dhe, siç i cilëson ai, lajkat ndaj Presidentit Trump, janë elemente që ravijëzojnë qëllimet e “Botës Serbe” dhe legjitimojnë agresionin e Putinit në Ukrainë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shfrytëzuar foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të ushtruar presion ndaj Perëndimit, duke e paraqitur Serbinë si viktimë të “padrejtësisë” së Perëndimit dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si pikën që, sipas tij, e ka “shkatërruar” rendin ndërkombëtar.
Kështu vlerëson drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, në analizën “Recetat perfide të Serbisë në Nju Jork: Moralizimet e Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme si presion ndaj Perëndimit”.
Fetoshi e dekonstrukton adresimin e Vuçiqit jo vetëm në raport me Kosovën, por në kontekst më të gjerë rajonal e gjeopolitik. Sipas tij, presidenti serb tentoi ta vendosë në qendër pretendimin për “padrejtësinë” e Perëndimit ndaj Serbisë, duke e shmangur të vërtetën për luftërat e viteve ’90.
“Na ishte njëherë një ministër finok, që i kishte ngjizur ambalazhat për terrorin e shefit të tij dhe 30 vjet më pas, në kryeqendrën e diplomacisë botërore, tentoi t’i ‘gozhdojë’ ata që e ndalën terrorin, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë”, shkruan Fetoshi në hyrje të analizës.
Fetoshi vlerëson se Vuçiq tentoi ta vendoste Kosovën e viteve 1999–2008 dhe Ukrainën e sotme brenda së njëjtës kornizë argumentuese, duke e paraqitur ndërhyrjen e NATO-s dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës si precedent që, sipas presidentit serb, kishte hapur “Kutinë e Pandorës”.
Por, sipas tij, ky narracion e shmang me qëllim represionin, masakrat, dhunimet dhe spastrimin etnik të dokumentuara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si shkak i reagimit perëndimor. Në këtë kontekst, ai sjell në vëmendje aktakuzën dhe procesin ndaj Millosheviqit, si dhe vendimet e formës së prerë ndaj zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë e policorë serbë.
Ndërkaq, lidhur me akuzat e Vuçiqit ndaj Kroacisë për “ringritjen e nazizmit” dhe “krenarinë me të kaluarën naziste”, që nxitin reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Andrej Plenkoviq, Fetoshi thotë se janë pretendime për viktimizimin serb nëpërmjet zhvendosjeve selektive nga Lufta e Dytë Botërore.
Një pjesë të veçantë të analizës Fetoshi ia kushton raportit të Vuçiqit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, presidenti serb provoi të ndajë Amerikën në dysh, duke e etiketuar Presidentin Clinton si “rrënues” të rendit ndërkombëtar, ndërsa i bën lajka Presidentit Trump, duke e paraqitur si “shpresë” për korrigjim.
Nga ana tjetër, pretendimin e Vuçiqit për “neutralitetin” e Serbisë, Fetoshi e demaskon me rreshtimin strategjik drejt Rusisë e Kinës, ndonëse kërkon të përfitojë në rrugën e integrimit europian. Në këtë kontekst, ai e përshkruan Vuçiqin si “zëdhënës europian” të Putinit për standardet e dyfishta të Perëndimit.
Më tutje, ai argumenton se për të kuptuar fjalimin e Vuçiqit duhet analizuar edhe raporti i tij me trashëgiminë politike të Slobodan Millosheviqit.
Ai rikujton deklarimet e Vuçiqit të vitit 2018 për Millosheviqin, si dhe debatet e fundit në Serbi rreth rehabilitimit politik të figurës së ish-presidentit jugosllav.
Sipas Fetoshit, shmangia e përgjegjësisë së periudhës së Millosheviqit nuk është vetëm çështje e interpretimit të së kaluarës, por lidhet me mënyrën se si projekti nacional serb është përshtatur në rrethanat e shekullit XXI.
Në këtë pikë ai e vendos konceptin e “Botës Serbe”, të cilin e sheh si formë të transformuar të objektivave të mëhershme nacionaliste, më pak të artikuluar përmes gjuhës së drejtpërdrejt dhe më shumë përmes narrativave historike, viktimizimit, ndikimit politik e lidhjeve strategjike.
Në pjesën përfundimtare, Fetoshi e zhvendos analizën nga politika te komunikimi.
Duke iu referuar interaksionizmit simbolik të George Herbert Mead, ai argumenton se faktet nuk fitojnë domethënie politike vetvetiu, por përmes interpretimit dhe kornizimit të tyre.
Pikërisht këtu, sipas tij, qëndron rëndësia e strategjisë së Vuçiqit.
Në mjedisin digjital të karakterizuar nga “pas e vërteta”, dokumentet gjyqësore dhe raportet historike mund të mbeten jashtë vëmendjes së publikut, ndërsa interpretimet politike të së kaluarës rikornizohen për audienca të reja.
Për këtë arsye, Fetoshi përmend raportet e Human Rights Ëatch dhe Amnesty International për Kosovën, vendimet e ICTY-së dhe rastet e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo e Rudnicë, si kundërpeshë dokumentare ndaj narrativës që ndërhyrjen e NATO-s e trajton si “Mëkat” perëndimor.
“Komunikimi i vazhdueshëm i fakteve, me kuptimin e provuar nga drejtësia dhe të dokumentuar nga mediat, është formula më e mirë për dekonstruktimin e ‘kurthit narrativ’ të Vuçiqit”, argumenton ai.