Deputeti Veton Berisha ka komentuar nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se në këtë fazë duhet pasur kujdes me çdo veprim që mund të ndikojë në procesin e ankesës.
I ftuar në FIVE të TV Dukagjinit, Berisha ka thënë se zhbërja e Dhomave të Specializuara në këtë moment nuk do të ishte zgjidhje, pasi tashmë është dhënë vendimi i shkallës së parë dhe procesi duhet të vazhdojë në Apel.
“Më zhbë GJS në këtë fazë, konsideroj s çfarë pastaj në Apel. Mbetet një vendim që s’mund ta kontestojmë. Dhe ndalohet çdo gjë. Dhe kjo si ide (zhvendosja e shkallës së tretë, Supremes, në Kosovë) për mua është e pranishme. Sepse tani më secilin nga ne e ka të humbur besimin në Dhomat e Specializuara. E vetmja rrugë që mbetet është rikthimi i shkallës së tretë, ku me trajtu komplet si rast, sipas meje dhe pse jo edhe në formën më të hapur…
Konsideroj që është vendim (vendimi i Hagës) politik. Është vendim që ta barazojë situatat dhe periudhën e luftës me Serbinë, por asnjëherë nuk mund ta barazohet lufta çlirimtare me një agresor qysh ka qenë Serbia. Dhe konsideroj që është bërë një padrejtësi e madhe. Dhe mendoj që ne bashkërisht duhet të kemi kujdes…”, ka deklaruar Berisha.
Deklaratat e tij vijnë kur në Kuvend është proceduar nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nisma tashmë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës.
Ndryshimet e propozuara nga PDK-ja përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim dhe mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se projektligji është dërguar te ekspertët për vlerësim, ndërsa ka kërkuar që në proces të konsultohen edhe ekipet mbrojtëse të katër ish-eprorëve të UÇK-së dhe ekspertë të fushës.
Ndërkohë, pas aktgjykimit të 16 shtatorit, në Prishtinë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme kundër vendimit të Dhomave të Specializuara.