Forcat amerikane pritet të largohen nga bazat e tyre të fundit në Irak deri të mërkurën, një tërheqje që po festohet si fitore nga Irani dhe aleatët e tij, të cilët tashmë kanë ndikim të madh në vendin ku rreth 4,500 amerikanë u vranë gjatë më shumë se dy dekadave të luftës.
Ekspertët irakianë të sigurisë thonë se tërheqja e dakorduar në vitin 2024 gjatë presidencës së Joe Biden dhe e zbatuar nga administrata e Donald Trump, edhe pse kjo e fundit po zhvillon luftë kundër Iranit mund t’i japë Teheranit dhe aleatëve të tij të fuqishëm dorë të lirë, ndërsa mund t’u mundësojë edhe armiqve të tjerë të SHBA-së të rikthehen, përfshirë Shtetin Islamik, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Irani pritet të përfitojë strategjikisht nga largimi i koalicionit, sepse ai largon një prani ushtarake që për vite me radhë ka vepruar si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit në Irak”, tha Jasim al-Bahadli, një analist irakian i sigurisë, i specializuar në studimin e grupeve të armatosura shiite të lidhura me Iranin.
Ai parashikoi se grupet e milicive pro-iraniane jo vetëm që do ta paraqesin largimin si një fitore për lëvizjen e tyre, por gjithashtu do të “përpiqen ta shndërrojnë këtë moment në ndikim më të madh mbi vendimmarrjen në fushën e sigurisë dhe politikës”.
Abu Mojtaba al-Yasiri, një komandant i “Rezistencës Islamike në Irak”, një grupim ombrellë i fraksioneve të armatosura të mbështetura nga Irani, e përshkroi tërheqjen amerikane si “një fitore historike për grupet e rezistencës islamike irakiane dhe irakianët e ndershëm, si dhe një humbje dërrmuese për projektin amerikan”.
“Më 30 shtator, ne do të festojmë kthimin e një faqeje të zezë në historinë e Irakut dhe dështimin e pushtimit për të imponuar vullnetin e tij mbi vendin tonë”, tha ai për Reuters. “Iraku ka dëshmuar se sovraniteti i tij nuk mund të sigurohet nga forcat e huaja, por nga rezistenca dhe vullneti i popullit të tij.”
Ende gjithçka nuk është gati
Ndërsa largimi përfundimtar i forcave amerikane është përgjithësisht i mirëpritur nga irakianët, ata që shqetësohen për fuqinë e grupeve të mbështetura nga Irani kanë frikë se tërheqja është e parakohshme.
“Ne besojmë se Iraku ende nuk është plotësisht i gatshëm të marrë përsipër çështjen e sigurisë në këtë moment”, tha për Reuters Abdulrahman al-Zobaie, një lider fisnor sunit nga Falluxha, dikur bastion i rezistencës kundër amerikanëve.
“Të gjithë irakianët synojnë sovranitet të plotë dhe asnjë irakian nuk do ta kundërshtonte këtë. Por besoj se largimi i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja në këtë mënyrë dhe krijimi i një vakumi është ajo që të gjithë irakianët i frikësohen.”
Forcat amerikane pushtuan Irakun në vitin 2003 për të rrëzuar diktatorin sunit Saddam Hussein. Më pas, ato pushtuan vendin, vendosën një qeveri të udhëhequr nga shiitët dhe zhvilluan një luftë shumëvjeçare kundër kryengritjes, përpara se të tërhiqeshin në fund të vitit 2011.
Ato u rikthyen më pak se tre vjet më vonë për të ndihmuar forcat irakiane në mposhtjen e grupit militant sunit, Shteti Islamik, në një luftë të madhe nga viti 2014 deri në vitin 2017.
Rreth dy herë më shumë amerikanë u vranë në “Operacionin Liria e Irakut” sesa në luftën paralele në Afganistan, e cila përfundoi me një tërheqje të befasishme të SHBA-së në vitin 2021.
Në vitet e fundit, Iraku ka qenë i vetmi vend që ka ruajtur aleanca të ngushta politike dhe ushtarake si me Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe me Iranin, të cilët ndonjëherë e kanë përdorur territorin irakian si një fushëbetejë përmes grupeve të ndërmjetme.
Shtetet e Bashkuara vranë një komandant të lartë iranian, Qasem Soleimanin, me një sulm në aeroportin e Bagdadit në vitin 2020. Aleatët e Iranit sulmuan vazhdimisht bazat amerikane, duke shkaktuar në disa raste kundërpërgjigje nga SHBA-ja.
Në luftën e këtij viti kundër Iranit, shtatë nga 18 pjesëtarët e shërbimit ushtarak amerikan të listuar si të vrarë ndodheshin në Irak. I fundit ishte një rreshter i ushtrisë, i cili vdiq gjatë shpërthimit të kontrolluar të një droni në një bazë pranë Erbilit në korrik.
Fitore për boshtin e Iranit
Irani, i cili thotë se synimi i tij përfundimtar është t’i detyrojë forcat amerikane të largohen nga i gjithë Lindja e Mesme, po e paraqet tërheqjen amerikane nga Iraku si një fitore për “boshtin e rezistencës” të tij, i cili përfshin grupe të armatosura aleate në të gjithë rajonin.
“Siguria e qëndrueshme do të mbizotërojë në Irak” pasi amerikanët të largohen nga vendi dhe rajoni, tha të hënën nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit të Iranit, Amir Hayat Moqaddam.
“Irani e mirëpret tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe padyshim do ta mbështesë atë”, tha ai për shërbimin informativ të parlamentit iranian. “Grupet e rezistencës aktualisht po ndërmarrin veprime, ndonjëherë duke shënjestruar dhe përballur trupat amerikane.”
Uashingtoni ka akuzuar grupet e milicive të mbështetura nga Irani në Irak se kanë luajtur rol në konfliktin më të gjerë në Lindjen e Mesme, duke kryer sulme ndaj vendeve fqinje me udhëzimin e Teheranit. Sulmi më i fundit, sipas Uashingtonit, ishte ndaj një tubacioni të madh nafte në Arabinë Saudite këtë muaj.
Qeveria e Bagdadit thotë se po përpiqet të kufizojë ndikimin e këtyre grupeve.
Jetë e re për Shtetin Islamik?
Disa zyrtarë irakianë të sigurisë, si nga qeveria federale, ashtu edhe nga rajoni gjysmëautonom kurd në veri, thonë se tërheqja amerikane rrezikon t’u japë jetë të re luftëtarëve të Shtetit Islamik, të cilët, pavarësisht humbjes së kalifatit të tyre të vetëshpallur gati një dekadë më parë, vazhdojnë të kenë një rrjet qelizash të fjetura.
Në kulmin e fuqisë së tyre, luftëtarët kontrollonin një të tretën e Irakut dhe vranë mijëra njerëz, përfshirë qindra persona të cilët i filmuan duke i qëlluar për vdekje brenda një ish-baze ushtarake amerikane.
Mungesa e inteligjencës amerikane, mbështetjes logjistike dhe dronëve do t’i japë Shtetit Islamik një mundësi për t’u riorganizuar, tha komandanti kurd Sirwan Barzani.
“Për më shumë se dy javë, kemi vërejtur lëvizje të qelizave të fjetura të Shtetit Islamik, pasi u njoftua në mediat e përgjithshme se do të ketë një tërheqje zyrtare të koalicionit ndërkombëtar nga Iraku deri në fund të shtatorit”, tha ai.
“Kjo ka rritur, sipas mendimit tim, moralin” e luftëtarëve, shtoi Barzani.
Forcat irakiane të sigurisë thanë se një qelizë e dyshuar e Shtetit Islamik po përgatitej për sulme vetëvrasëse që do të përkonin me tërheqjen e forcave amerikane.
Komploti nxori në pah shqetësimet se grupi militant vazhdon të ketë aftësi për të shfrytëzuar boshllëqet e sigurisë, pavarësisht humbjeve ushtarake të pësuara gjatë viteve të fundit, thanë katër zyrtarë irakianë të sigurisë dhe ushtrisë.
“Shteti Islamik po përpiqet të dërgojë një mesazh se grupi është ende i fuqishëm dhe i aftë të kryejë sulme të përgjakshme”, tha koloneli Khalid al-Bayati, një zyrtar i lartë i sigurisë në qytetin strategjik naftëmbajtës të Kirkukut.