Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim nëntë të arrestuarve nën dyshimet për krime lufte.
Sipas njoftimit, Gjykata vlerësoi se në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, “të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë”.
Sipas Gjykatës, të arrestuarit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Serbi, si dhe posedojnë pasaporta serbe, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të largohen dhe t’i ikin drejtësisë.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë. Ky vlerësim mbështetet në faktin se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë, si dhe posedojnë pasaporta të Republikës së Serbisë, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit, me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të largohen dhe t’i ikin drejtësisë. Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitë e tyre, duke penguar administrimin e drejtë dhe të plotë të provave, si dhe zbardhjen e plotë të gjendjes faktike”, thuhet në njoftim.
Arrestimi i nëntë të dyshuarve lidhen me rastin e zhdukjes së “Grupit të Intelektualëve” të Mitrovicës teksa gjatë bastisjeve në disa lokacione janë sekuestruar armë, municion, telefona, dokumente dhe rreth 23 mijë euro para të gatshme.
Mbetjet mortore të 23 personave, të cilat dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve”, janë gjetur gjatë gërmimeve në fshatrat e Zubin-Potokut, Kalludër dhe Jabukë. Gërmimet janë kryer në periudhën 27 korrik – 21 gusht të këtij viti. Tre prej tyre tashmë janë identifikuar.
Kujtojmë se D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D, V.L., R.R. dhe D.D. u arrestuan të dielën në Zubin-Potok në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.
Kërkohet paraburgim për nëntë të dyshuarit për krime lufte në Zubin Potok