Ish-veprimtari Bajrush Xhemajli ka deklaruar se UDB-ja kishte persona të infiltruar në rrjetet e veprimtarëve shqiptarë dhe se ata kishin informacione të detajuara për aktivitetet e tyre.
Në kuadër të ciklit të emisioneve “Dosjet”, pjesë e emisionit “Debat Plus”, Xhemajli u shpreh se shërbimi jugosllav kishte persona të infiltruar që përcillnin edhe detaje të hollësishme të aktiviteteve të tyre.
Xhemajli tha se kishte informacione se si UDB-ja kishte mësuar edhe detaje të pazakonta rreth një personi që, sipas tij, ishte fshehur në një thes me fasule.
“Sigurisht. Shiko po e tregoj vetëm një detaj e dinin që më patën marrë mua ata pastaj, çka ke kjo punë. E dinin që Ibrahimi ka qëndru në një thes në grosh, do të thotë kur e ka shkru referatin, ka shkru referatin në korridor, se aty më qetësi, e ka shkru edhe thesin që kishte fasule, e dinin. Në detaje. Po dihet UDB-a e ka pasë kontroll këtë farë pune”, u shpreh Xhemajli.
I pyetur nëse detaje të tilla dëshmojnë për një depërtim të thellë të UDB-së në rrjetet e tyre, Xhemajli tha se kishte persona të infiltruar aq sa i nevojiteshin këtij shërbimi.
“Po sigurisht që ka pas, ka pas aq sa i janë nevojitur edhe më thonin UDB-a shumë herë: ne kemi aq sa na nevojitet. Nuk po them që bëhet çdokush me neve. Me presione e krejt, ka dikush nuk bëhet, por aq sa duam kemi, aq sa na nevojiten, do të kemi dhe besoj që edhe ashtu ka qenë”, deklaroi ai.
Tutje, Xhemajli, u shpreh se rrjeti i UDB-së kishte qenë i gjerë, por theksoi se nuk do të përmendte emra pa pasur prova apo dokumente.
“Aty sigurisht që ka mund se po them rrjeti i UDB-së ka qenë i gjerë. Po unë besoj që ka pas më shumë. Mund ta marrë me mend, por këto nuk është mirë, derisa unë nuk kam dokument që filani ka qenë”, tha ai.