Ish-veprimtari, Bajrush Xhemajli ka rrëfyer në Debat Plus, në kuadër të ciklit të emisioneve “Dosjet” për takimin e tij të parë me Ibrahim Kelmendin dhe për përpjekjet e atëhershme për bashkëpunimin e forcave të fshehta shqiptare në Kosovë.
Xhemajli ka treguar se Kelmendi kishte ardhur përmes Ibrahim Shalës te Imer Grainca, me të cilin kishte biseduar për mundësinë e bashkëpunimit dhe bashkimit të organizimeve të fshehta.
Sipas Xhemajlit, Kelmendi në atë kohë ishte pjesë e “Frontit të Kuq Popullor”.
“Kanë biseduar se si me u unifiku forcat e fshehta dhe ai i ka takuar ‘Frontit të Kuq Popullor’ dhe tash kanë biseduar që të bashkëpunojmë fillimisht, dhe pastaj nëse ka mundësi edhe të bashkohemi”, ka rrëfyer Xhemajli.
Takimi i tij me Kelmendin kishte ndodhur në një rrethanë familjare, në kohën kur Xhemajlit i kishte vdekur babai. Ai kishte qenë në Zvicër dhe ishte kthyer në Kosovë pas lajmit për vdekjen.
Kur kishte shkuar në odë, aty kishte gjetur edhe Ibrahim Kelmendin, i cili po merrte pjesë në pritjen e njerëzve për ngushëllime. Xhemajli ka treguar se Kelmendi kishte kontribuar edhe në përpjekjet për përshpejtimin e procedurave lidhur me nxjerrjen e trupit të të ndjerit.
Në atë rast, Kelmendi kishte kërkuar leje për të mbajtur një fjalim para të pranishmëve.
Sipas Xhemajlit, fjalimi i tij nuk ishte thjesht një fjalë ngushëllimi, por kishte prekur edhe çështje sociale dhe kombëtare. Ai kishte folur për shtypjen dhe shfrytëzimin, për pozitën e klasës punëtore dhe për trajtimin e shqiptarëve.
“E orientoi, por edhe kombëtarisht, kështu që duhet ne të bëjmë diçka që vërtet shqiptarët trajtohen në mënyrë më njerëzore. Mos të pajtohemi me këtë gjendje që është”, ka rrëfyer Xhemajli.
Ai ka thënë se Kelmendi kishte qenë shumë komunikativ me të pranishmit dhe se diskutimi i tij kishte krijuar një atmosferë ku, sipas Xhemajlit, ishte kuptuar se pas atij takimi mund të kishte edhe zhvillime të tjera.
Pas këtij kontakti, sipas Xhemajlit, ishin bërë përpjekje për afrimin e mëtejshëm të grupeve dhe organizimeve të fshehta.
Por, sipas rrëfimit të tij, veprimtaria ishte nën vëzhgimin e UDB-së.
Xhemajli ka treguar se rreth dy muaj e gjysmë pas varrimit të babait të tij, në nëntor, disa prej personave të përfshirë në këto organizime u arrestuan.
Në mesin e të arrestuarve, ai ka përmendur Imer Graincën, Xhabir Zharkun, Ibrahim Shalën, Emrushin dhe Besim Baraliun. Sipas tij, këta më pas u dënuan, ndërsa kishte edhe persona të tjerë që u arrestuan dhe u mbajtën për një, dy apo tre muaj.
Xhemajli ka thënë se arrestimet nuk ishin të rastësishme dhe se organet e atëhershme të sigurisë kishin informacione të hollësishme për atë që kishte ndodhur gjatë takimit në odë.
Ai ka dhënë edhe një detaj që, sipas tij, dëshmon shkallën e informacionit që kishte UDB-ja për aktivitetet e tyre.
“E dinin që Ibrahimi ka qëndru në një thes në grosh”, ka treguar Xhemajli, duke shpjeguar se Kelmendi kishte shkruar referatin në korridor, pranë një thesi me fasule, dhe se edhe ky detaj ishte i njohur për organet e sigurisë.
“Kështu që UDB-a e ka pasë kontroll këtë farë pune”, ka thënë Xhemajli.