Haziri: Durimi ka arritur në kufi, më 1 tetor do ta shihni forcën e këtij sheshi

Çlirim Haziri, organizator i protestës në kuadër të iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë përmes ligjit për Dhomat e Specializuara të Hagës, duke kritikuar atë që e cilësoi si mungesë të veprimeve pas deklaratës së miratuar në Kuvend.

 Në fjalimin e tij, gjatë natës së 14-të të protestës, Haziri tha se qytetarët po vazhdojnë të mblidhen jo nga mungesa e lodhjes, por nga bindja se duhet të mbrojnë dinjitetin e vendit, historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Ai u ndal te deklarata e miratuar nga 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se ajo nuk mjafton pa hapa konkretë juridikë. Sipas tij, përgjegjësia tashmë është te institucionet, ndërsa vëmendja është përqendruar te projektligji që, sipas Hazirit, ndodhet në tavolinën e Qeverisë.

“Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme. Disa prej tyre ndoshta kanë bërë gjumë më të mirë, duke menduar se me kaq e shlyen borxhin e tyre. Kanë menduar se pas atyre rreshtave, temperatura në këtë shesh sot do të ulet e ne do të kthehemi të heshtur në përditshmërinë tonë. Por a e dini çfarë është kjo? Kjo është thjesht një shfaqje teatrale për të larë gojën! Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’. Zero pasoja juridike. Zero!”, deklaroi Haziri.

 Ai theksoi se, sipas tij, deklaratat politike nuk mund ta zëvendësojnë veprimin ligjor dhe se qëndrimi i deputetëve duhet të dëshmohet përmes votimit të projektligjit.

“Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra. Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut. Letrat gjithmonë kanë pasur rol dytësor në historinë tonë. Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje! Jo me deklarata. Prandaj, ky shesh sonte nuk bën pyetje sa për të marrë deklarata: Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prishë terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës?!”, tha ai.

Haziri iu drejtua edhe kryeministrit, duke thënë se projektligji nuk duhet të trajtohet si një çështje e zakonshme administrative, por si një çështje që, sipas tij, lidhet me dinjitetin e shtetit dhe sakrificën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 “Por po jua themi drejt e në sy: Kryeministër, në atë tavolinë nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti! Është gjaku, sakrifica dhe gjashtë shtyllat e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht peng! E nderi i kësaj toke as nuk zvarritet, as nuk mbahet nëpër sirtarë!”, u shpreh Haziri.

 Në fund të fjalimit, organizatori i protestës paralajmëroi mobilizim më të madh të qytetarëve më 1 tetor, nëse institucionet nuk ndërmarrin veprime konkrete.

Ai tha se pjesëmarrësit nuk e kanë përfunduar reagimin e tyre me miratimin e deklaratës në Kuvend dhe se presin që përgjegjësia institucionale të dëshmohet me votë.

 “Nëse vazhdoni të heshtni, nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh! Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje, do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”, përfundoi Haziri./EO

 

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika