Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
PDK-ja, nëpërmjet një njoftimi, ka kundërshtuar deklaratën e Hargreaves se aktgjykimi ka të bëjë me “krime individuale”, duke e cilësuar këtë si “një reduktim të papranueshëm diplomatik” të një vendimi që, sipas kësaj partie, ka pasoja të gjera për interpretimin e historisë së Kosovës.
“Mos e reduktoni dhe mos e relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK-ja trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në atë që në aktgjykim është cilësuar si qëllim i përbashkët kriminal.
Tutje, PDK-ja ka theksuar gjithashtu rolin që katër ish-krerët e UÇK-së kanë pasur në raport me NATO-n gjatë luftës së vitit 1999.
“Prandaj, të thuash se bëhet fjalë për ‘krime individuale’ nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën”, ka deklaruar PDK-ja.
Në reagim, PDK ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë po perceptohet si instrument politik.
“Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
PDK ka përmendur edhe shqetësimet e ngritura nga “Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që ato të merren parasysh nga shtetet që e mbështesin dhe financojnë këtë institucion, përfshirë Britaninë e Madhe.
Në fund, PDK ka deklaruar se do të vazhdojë ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
“Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik”, thuhet në reagim.