Dhjetëra persona janë plagosur dhe qindra të tjerë janë arrestuar, shumica prej tyre të mitur, gjatë një vale protestash studentore në Francë kundër mungesës së mësuesve dhe gjendjes së rënduar të objekteve shkollore.
Protestat dhe bllokadat, të cilat nisën javën e kaluar dhe të martën u zhvilluan paralelisht me një grevë më të gjerë të sektorit publik, janë shndërruar në një çështje të rëndësishme politike në një periudhë të ndjeshme për vendin, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Qeveria franceze pritet të prezantojë të enjten buxhetin për vitin 2027, i cili pritet të përfshijë shkurtime të shpenzimeve me synim lehtësimin e presionit mbi financat publike.
Në Saint-Denis, një zonë e madhe në veri të Parisit, nxënësit u mblodhën para portave të shkollës së tyre, pranë një zjarri që ishte ndezur, ndërsa policia qëndronte në afërsi. Në Lyon dhe Lille, pamjet televizive treguan persona duke hedhur objekte drejt rreshtave të policisë.
“Në shkollë ka buburreca dhe minj kudo”, tha për Reuters Fadila, një nxënëse 17-vjeçare. Ajo deklaroi se temperaturat në klasat e shkollës mund të kalojnë nga shumë të larta në temperatura nën zero, varësisht nga moti.
Sipas Forumit Global të Politikave të OECD-së, shpenzimet e Francës për arsimin fillor dhe të mesëm kanë qenë në nivelin e mesëm krahasuar me vendet anëtare dhe janë rritur ndërmjet viteve 2015 dhe 2022. Megjithatë, pjesa që arsimi zë në buxhetin e përgjithshëm ka shënuar rënie të lehtë.
Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, tha për radion RTL se që nga fillimi i protestave janë plagosur 76 persona, përfshirë nxënës dhe pjesëtarë të personelit. Ai nuk dha detaje se cilët pjesëtarë të personelit ishin përfshirë apo për shkallën e lëndimeve.
Në protesta janë bashkuar edhe politikanë të partisë së majtë radikale La France Insoumise. Zyrtarë dhe politikanë të tjerë e kanë kritikuar partinë, duke pretenduar se retorika e saj po nxit zemërimin e nxënësve.
Bally Bagayoko, kryetar bashkie nga La France Insoumise, i cili është cituar të ketë thënë se dhuna ndonjëherë është e ligjshme, ka deklaruar se fjalët e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha për transmetuesin BFM se vetëm të martën, gjatë protestave në shkollat e mesme, janë ndaluar rreth 440 persona, shumica e tyre të mitur.
Sipas Nunezit, janë regjistruar shtatë raste në të cilat persona kanë hedhur acid klorhidrik ndaj pjesëtarëve të forcave të rendit.
Nxënësit protestues thonë se klasat janë të mbipopulluara dhe se ka mungesë të mësuesve. Qeveria ka dënuar aktet e dhunës të shfaqura në disa prej protestave, por ka pranuar se problemet në shkollat e mesme duhet të adresohen.
Gamze, një nxënëse 17-vjeçare nga Saint-Denis, tha se nxënësit në këtë zonë, e njohur historikisht si një zonë e klasës punëtore, trajtohen në mënyrë të pabarabartë krahasuar me nxënësit në pjesë të tjera të vendit.
“Jemi gjithmonë ne… ata që vuajmë, ndërsa në Paris apo në zonat rurale nuk janë në një situatë të tillë”, tha ajo për Reuters.