Recension nga këndvështrimi i një lexuesi
Libri “PËR KOSOVËN REPUBLIKË”, i autorit dhe protagonistit kryesor, Enver Dugolli, është një vepër me karakter dokumentar, e shkruar në vetën e parë njëjës. Përmes zhvillimeve dhe ngjarjeve të përshkruara, libri e kthen lexuesin rreth 45 vjet pas në kohë, duke e zhytur në mendime dhe përjetime të një periudhe të rëndësishme të historisë sonë.
Leximi i tij të bën të ndihesh krenar për qëndresën dhe për mënyrën se si pjesëtarë të popullit shqiptar i bënë ballë represionit dhe politikave shtypëse serbe. Në mënyrë më konkrete, libri trajton një periudhë të viteve ’80, kohë kur shqiptarët e Kosovës kishin rifilluar aktivitetet e organizuara për të drejtat e tyre, përmes njerëzve të organizuar në grupe dhe celula të shumta, me kërkesën për Kosovën Republikë.
Konteksti historik
Viti 1981 ishte një periudhë kur, përmes veprimeve konkrete, filloi të shkruhej një pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës. Kjo pjesë ishte vazhdim i përpjekjeve të mëhershme të popullit dhe bijve të tij. Në këtë kuadër duhet parë edhe periudha 1945–1966, të cilën mund ta quajmë periudhë të rezistencës së pas Luftës Nacional-Çlirimtare.
Shqiptarët, përmes grupeve të tyre të organizuara, kishin zhvilluar rezistencë politike dhe ilegale për vetëvendosjen e vendit të tyre. Ndër këto organizime ishin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), nën udhëheqjen e Adem Demaçit; grupi i të rinjve studentë të lidhur me LRBSH-në, ndër ta Selatin Novosella, Ibrahim Gashi, Shemsi Hoxha, Osman Dumoshi, Ali e Ilaz Pireva etj., të cilët më vonë u riorganizuan dhe u njohën si “Komiteti i Demonstratave”; “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, e udhëhequr nga Metush Krasniqi; “Organizata për Bashkimin e Tokave Shqiptare”, e udhëhequr nga Remzi Baloku; “Komiteti për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, i udhëhequr nga Kadri Halimi, etj.
Pra, këto përpjekje, krahas shumë përpjekjeve të tjera lokale që shërbyen si frymëzim për brezat që do të vinin, ishin ndër pararendëset e aktivizimit të periudhës së vitit 1981. Natyrisht, në këtë kontekst nuk mund të anashkalohen as politikat diskriminuese, shtypëse dhe sistematike ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Si rrjedhojë, demonstratat studentore të vitit 1981 shënuan një kthesë të rëndësishme. Në këtë kuadër, kërkesa për Kosovën Republikë u bë një nga kërkesat kryesore politike dhe një hap i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të kërkesave kombëtare. Në këtë periudhë, autori i librit, Enver Dugolli, ishte vetëm rreth 18 vjeç.
Arrestimi dhe përballja
Pasi libri ka karakter dokumentar, në të gjenden të dhëna të shumta për autorin si person; kush ishte, nga cili vend vinte, nga çfarë familjeje rridhte, gjendja e tij ekonomike, gjendja martesore, shkollimi, shëndeti, aktiviteti etj. Për këtë arsye, nuk është e nevojshme që këto të dhëna të përsëriten në këtë recension.
Arrestimi i Enverit ndodhi në një moshë shumë të re, menjëherë pas daljes nga mosha e fëmijërisë. Ndoshta mund të quhej edhe “fëmijë i rritur”. Mënyra e arrestimit është paraqitur jashtëzakonisht autentikisht, siç thot populli, “nga dora e parë”.
Është veçanërisht interesante mënyra se si autori e përshkruan lidhjen emocionale dhe shpirtërore me fëmijët. Fëmija, ndoshta më së miri se kushdo tjetër, e ndien barrën e robërisë, sepse natyra e tij kërkon të jetë e lirë. Për fëmijën, liria është diçka e natyrshme dhe absolute. Autori duket se e kishte si dhanti të natyrshme afërsinë me njerëzit, veçanërisht me shokët, bashkëmoshatarët dhe më të vegjlit.
Sistemi i pushtetit ishte represiv dhe, për rrjedhojë, edhe arrestimi, trajtimet dhe dhuna ndaj tij ishin të tilla. Përballë gjithë kësaj, qëndresa e tij ishte e pathyeshme. Kjo është një nga pjesët që të bën përshtypje dhe, në disa raste, duket e pabesueshme për ata që nuk e kanë njohur autorin apo nuk e kanë përjetuar atë kohë, sidomos duke pasur parasysh moshën e tij të re.
Jeta në burg
Jeta në burg është gjithmonë e vështirë, pavarësisht sistemit politik apo faktit nëse je në shtetin të cilit i përket. Por kur bëhet fjalë për një burg ku ti e konsideron sistemin që të mban të burgosur si armikun prej të cilit duhet të çlirohesh, pavarësisht pasojave shëndetësore apo jetësore, atëherë burgu bëhet një nga përvojat më të rënda të jetës.
Brenda burgut, përveç vuajtjes materiale, ekziston edhe një ngarkesë e jashtëzakonshme shpirtërore. Në këtë rast, pesha shpirtërore mund të jetë edhe më e rëndë se ajo fizike.
Autori i vë në dukje veçanërisht brengat e tij për familjen. Sipas tij, familja po pësonte sepse i biri kishte zgjedhur një rrugë të mundimshme, për tu mbushur me dinjitet dhe krenari, e ai mendonte se pasojat e qëndrimit të tij do të rëndonin edhe mbi familjen.
Duke i ditur pasojat që mund të vinin, gjendja e tij gjatë paraburgimit dhe burgimit nuk ishte e lehtë. Kjo e vendoste autorin përballë një dileme të dyfishtë.
Nga njëra anë, ishte bindja: “Mirë kam bërë”, sepse ideja e kontributit për çështjen kombëtare për të ishte e panegociueshme. Nga ana tjetër, ishte mendimi se duhej t’i kërkonte falje familjes për pasojat që ajo po i bartëte për shkak të qëndrimit të tij.
Në fakt, kjo e dyta nuk ishte krejt kështu. Ajo kishte të bënte me mënyrën se si represioni shtrihej edhe mbi familjen dhe mbi lidhjet e saj shoqërore e familjare. Vuajtjet e familjes së tij, sikurse edhe të shumë familjeve të tjera shqiptare, ishin pjesë e një realiteti represiv që mund të ndodhte sistematikisht: sot, nesër, pasnesër, çdo ditë, muaj, vit…
Prandaj, ai sikur e pyeste veten: “Po sikur të mos e kisha bërë unë këtë, a do të vuante familja?”
Në të dyja këto dilema, Enver Dugolli merr mbi vete një përgjegjësi të tepruar, të nxitur nga dashuria e madhe për vendin dhe nga lidhja e fortë emocionale me familjen. Për të, brenga për familjen ishte në një masë të madhe ekuivalente me dashurinë ndaj vendit.
Qëndresa
Presionet dhe vështirësitë gjatë qëndrimit në burg paraqiten si të jashtëzakonshme, por në asnjë mënyrë nuk e tejkalojnë vendosmërinë e tij për të mbajtur një qëndrim të pathyeshëm dhe të dinjitetshëm, moralisht e kombëtarisht.
Pranimi i asaj që kishte bërë dhe i arsyes pse e kishte bërë; mosdhënia e emrave të shokëve; përpjekja për ta mbrojtur qëllimin e tij përballë një makinerie represive – të gjitha këto paraqiten si qëndrime me peshë njerëzore dhe politike, ndërkohë që secila prej tyre sillte me vete pasoja të rënda dhe dhunë të paimagjinueshme.
Në rrëfimet e tij për burgun e Gjilanit, autori sjell edhe një rast veçanërisht tronditës, atë të të burgosurit politik Fatmir Salihu.
Fatmiri ishte duhanpirës i madh. Mënyra se si ai e mbështeste gishtin e vogël mbi gacën e cigares dhe rrethanat që e kishin çuar deri aty janë një dëshmi e jashtëzakonshme e përmasave të dhimbjes fizike dhe psikologjike që përjetohej në burg.
Ta mposhtësh dhimbjen e goditjeve duke i shkaktuar vetes një tjetër dhimbje përmes djegies së gishtit është diçka që tejkalon imagjinatën. Ai e kishte bërë këtë për ta harruar një dhimbje të madhe përmes një dhimbjeje tjetër, pra, për ta mbytur dhimbjen me dhimbje.
Ky episod e bën lexuesin të mendojë për përmasat e dhunës dhe vuajtjes së të burgosurve politikë shqiptarë. Rasti duket se është përfshirë në rrëfim pikërisht për ta bërë të njohur sakrificën e kësaj kategorie njerëzish dhe qëndrueshmërinë e tyre përballë kërkesave dhe bindjeve që konsideroheshin të drejta.
Një tjetër dëshmi e qëndrimit të palëkundur të autorit dhe të bashkëvuajtësve të tij ishte kërkesa për t’u kthyer në burgjet e Kosovës. Këtu del në pah një paradoks i dhimbshëm: ata preferonin burgun e vendit të tyre ndaj burgjeve në Serbi.
Imagjinoni një situatë në të cilën, mes burgjeve të tmerrshme, njeriu detyrohet të zgjedhë dhe të kërkojë njërin prej tyre. Morali i fortë i tyre sfidonte edhe dhunën që ushtrohej mbi ta. Qëndresa matej me aftësinë për t’u përballur me goditjet dhe dhimbjet që u shkaktoheshin.
Kjo më kujton vargun e njohur të këngës për UÇK-në, të kënduar nga Ilir Shaqiri: “…plumba s’kanë sa jemi ne…”
Një tjetër skenë domethënëse është ajo kur gardiani i burgut i thotë Enverit: “Ha ushqimin, ose do të dërmoj dajak.”
Në këtë skenë, Enveri paraqitet i dërmuar skajshmërisht dhe për një çast mendon ta marrë ushqimin për të shpëtuar sadopak shëndetin. Megjithatë, duke vazhduar grevën e urisë që të burgosurit e mbanin për t’u kthyer në Kosovë, ai sërish e refuzon ushqimin, edhe si pasojë e kërcënimit që, ndoshta rastësisht, kishte bërë gardiani.
Ai thotë: “Nuk do ta marr. Ky mendon se ia kam frikën!”
Kjo skenë dëshmon se qëllimi dhe qëndrimi i tyre i paraprinin çdo sfide, qofshin ato sfida ndaj shëndetit apo edhe ndaj jetës.
Vlera dokumentare e librit
Libri “PËR KOSOVËN REPUBLIKË” i autorit Enver Dugolli nuk paraqet vetëm pjesë të shkëputura nga jeta e një të burgosuri politik përballë një sistemi represiv komunist dhe politikave shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në vetvete, libri përmban dëshmi për një periudhë të robërisë e cila mbetet pjesë e historisë së vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës dhe e përpjekjeve të tyre për të drejtat dhe vetëvendosjen.
Është dëshmi e një njeriu që i përjetoi vuajtjet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është dëshmi e qëndresës, e moralit të fortë dhe e idealit ndaj atdheut. Është dëshmi se rruga e përballjes me robërinë dhe padrejtësinë nuk kushtëzohet nga dëshirat rinore, as nga malli për familjen.
Ky libër e paraqet vendosmërinë për të qëndruar deri në vetëflijim, nëse rrethanat do ta kërkonin. Ai nuk paraqet vetëm historinë personale të Enver Dugollit, por edhe dëshmi të një periudhe të rëndësishme historike.
Pikërisht për këtë arsye, libri ka vlerë shumëdimensionale dokumentare: ai ndërthur kujtesën personale, përvojën e burgut, historinë politike dhe kujtesën kolektive.
Mesazhi i librit
Kujtimet personale që autori shpreh në këtë libër janë një pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të shqiptarëve të Kosovës për periudhën e para rreth 45 vjetëve.
Kuptimi i librit qëndron edhe në dëshminë për vuajtjet e shqiptarëve të asaj periudhe. Për lexuesin, ai mbetet një dëshmi e sakrificës, e qëndresës dhe e përkushtimit ndaj atdheut.
Kujtesa historike e freskon dhe e mban gjallë kujtesën kolektive të një populli. Prandaj, leximi i një libri të tillë nuk duhet të mbetet vetëm një përjetim individual. Ai duhet të shërbejë edhe si nxitje për të njohur më mirë shkrimet, dëshmitë dhe veprat që paraqesin rrugëtimin, vuajtjen dhe sakrificën për Kosovën Republikë.
Në këtë kuptim, “PËR KOSOVËN REPUBLIKË” është më shumë se një kujtim personal. Është një dëshmi nga përvoja e drejtpërdrejtë e burgut, një rrëfim mbi qëndresën dhe një pjesë e kujtesës së një brezi që e përjetoi një periudhë të rëndë të historisë së Kosovës.
I.D.