Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë aktivitetet edhe pas protestës së 1 tetorit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka paralajmëruar një peticion fizik në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin për të mbledhur mbi gjysmë milioni nënshkrime, si dhe organizimin e protestave të tjera.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Tasholli ka thënë se ekipi tashmë ka diskutuar planet për muajt dhe vitet e ardhshme. Sipas tij, angazhimi do të vazhdojë deri në kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.
“Po gjithsesi. Ne veç jemi grumbulluar ekipi që jemi rreth ‘Liria ka Emër’ edhe së paku kemi planifikuar aktivitetet njëvjeçare, po gjithsesi edhe dyvjeçare, sado që do të jetë, që ka nevojë. Ne nuk do të ndalemi. Beteja vazhdon, me u dorëzuar kështu nuk e kemi ndërmend përderisa çlirimtarët nuk janë në vendin e tyre. Ne do të fillojmë me një peticion kështu fizik nëpër të gjitha komunat, ashtu qysh kemi shkuar për zbulimin e orës që numëron mbrapsht, edhe kështu do të shkojmë me shtande, ku në mënyrë simbolike do të mbledhim nënshkrimet që pretendojmë që ta kalojnë gjysmë milionin”, ka deklaruar Tasholli.
Mbledhja e nënshkrimeve, sipas tij, mund të zgjasë disa muaj. Më pas, ato synohet të dërgohen në mënyrë simbolike në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.
“Po kjo është punë e shtrirë në muaj, ndoshta 3-4 muaj e më shumë, për t’i dërguar ato nënshkrime në mënyrë simbolike në Bruksel, Strasburg dhe në Hagë, sepse ata po thirren në emrin e popullit dhe nëse ia çojmë dokumentacionin e popullit, ata thonë diçka tjetër”, është shprehur ai.
Tasholli ka bërë të ditur se peticioni do të jetë vetëm një nga nismat e platformës. Në plan janë edhe aktivitete të tjera dhe protesta, për të cilat ende nuk janë caktuar data.
“Po gjithsesi, e kemi diskutuar. Data nuk kemi potencuar në mënyrën e fiksimit të tyre, por nuk do të jetë vetëm peticioni, do të jenë një sërë aktivitetesh të formave të ndryshme, më të ndryshmet e mundshme, kreative gjithsesi, po edhe protesta herë pas hershme gjithsesi”, ka thënë Tasholli për Ekonomia Online.
Duke folur për pritjet nga procedura ankimore në Hagë, ai ka shprehur qëndrimin se aktgjykimi duhet të ndryshojë. Tasholli ka kritikuar mënyrën e trajtimit të fakteve gjatë procesit, duke e cilësuar vendimin si precedent të rrezikshëm edhe për Bashkimin Evropian.
“Po nuk ka opsion. Sepse në atë se çka e kemi parë, në mënyrën e artikulimit të thashethemeve të mashtruesve dhe në ofrimin e fakteve, janë dy botë të ndryshme. Nëse ka mbetur një trohë, grimë që thonë drejtësi, ata duhet me u liruar, sepse ajo çka ka ndodhur atje është një precedent i rrezikshëm edhe për Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Tasholli.
Më 1 tetor, në Prishtinë u mbajt protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktgjykimi u shpall më 16 shtator në Hagë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Sipas Gjykatës Speciale, Trupi Gjykues konstatoi përgjegjësinë penale të të katër të akuzuarve për krimet e luftës të ndalimit arbitrar ndaj 385 personave, trajtimit mizor ndaj 49 personave, torturës ndaj 303 personave dhe vrasjes së paligjshme ndaj 96 personave.